
Duranti rikthehet në fushë pas 18 muajsh, debuton me Brooklyn
Kevin Durant është rikthyer në fushë pas 1 viti e gjysmë pushim, si pasojë e lëndimi. Dy herë kampioni i NBA-së dhe dy herë MVP i finaleve “play-off”, ka debutuar sot me fanellën e Brooklyn Nets, në fitoren që ekipi i tij arriti ndaj Washingotn, me rezultatin 119-114, në një ndeshje miqësore.
Durant u transferua verën e kaluar te Brooklyn, por nuk luajti asnjë ndeshje. Hera e fundit që ai kishte zbritur në fushë ishte qershori 2019, kur luante me Golden State.
Në këtë ndeshje, ai realizoi 15 pikë. “Isha nervoz dhe kisha ankth para kësaj sfide. Kisha kohë që e prisja këtë moment, se si do të ishte debutimi im me Brooklyn”, ka thënë Durant, një nga yjet e NBA-së.
“U ndjeva mirë, ndihem mirë. Pas një kohe kaq të gjatë ndihem sërish një basketbollist. Nuk besoj se luajta shumë mirë, por rëndësi ka që u riktheva. E ndjej që në disa momente isha solid në lojën time”, ka shtuar Durant. /Telesport/