Durim Kryeziu, pjesë e “Matchmaking Forum” në Festivalin e Filmit të Pulës
Regjisori Durim Kryeziu, me filmin i tij “Familja”, ishte një nga 14 projektet e zgjedhura për t’u prezantuar përpara producentëve evropianë në Festivalin e Filmit të Pulës në Kroaci.
Festivali i Filmit i Pulës për 65 vjet është një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në Evropën Juglindore dhe në Mesdhe.
“Matchmaking Forum” është një program i ri, i cili u mbajt për herë të parë këtë vit. Programi u ofron producentëve mundësinë për t’u takuar me shumë financues të ndryshëm që janë pjesë e industrisë së filmit si: distributorë, agjentë të shitjes, banka, financues private dhe publike, regjionet dhe komisionet të filmit, transmetuesit, platformat e internetit etj.
“Pas prezantimit ka pasur interesim të madh për projektin ‘Familja’, pastaj janë realizuar shumë takime me producentë, distributorë, fondacione të ndryshme dhe përfaqësues të HBO-së dhe Euroimages. Unë pres që këto takime do të sjellin bashkëpunime të reja në të ardhmen e afërt”, u shpreh regjisori Durim Kryeziu.
Projekti filmik “Familja” është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës si film debutant.