Durim Limaj në Sarajevë: E heqim taksën nëse na njeh Bosnja (Video)
Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e BeH ka organizuar të enjten një takim ndërmjet delegacionit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, ku u diskutua për vendimin e Prishtinës për taksën prej 100 për qind për mallrat nga BeH.
Të dy palët ranë dakord që me bisedimet të hapin dyer për dialog të mëtejshëm dhe se në një periudhë të shkurtër, institucionet kompetente duhet të gjejnë zgjidhjet më të mira për pengesat ekzistuese në lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Pjesë e takimit ishte edhe shefi i kabinetit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj.
Ai në një intervistë për televizionin “Al Jazeera në Sarajevë”, ka thënë se hapi më i afërt për heqjen e taksës ndaj mallrave boshnjake, është njohja e Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina, transmeton “Ballkani.info”.
Ai pati një paraqitje mbresëlënëse në këtë televizion kredibil rajonal. Me një anglishte perfekte, Limaj u është përgjigjur pyetje të gazetares në studio.
“Ne ju kemi përgjigjur ftesës së dytë të Bosnjës për takim në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s, edhe pse ftesa nuk na është bërë si Kosovë, por ftesa ishte si pjesë e CEFTA-s. Ky takim shënon të parin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë Limaj.
Ai ka shtuar se janë nevojitur dhjetë vjet që nga pavarësia e Kosovës që të organizohet një takim i tillë.
“Sot i kemi njoftuar institucionet e Bosnjës për masat që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne ju kemi thënë kolegëve tanë nga Bosnja se jemi të gatshëm ta heqim taksën nëse pranohen kërkesat tona”, ka thënë ai.