Durmishi: 37 për qind e rrugëve nuk kanë kontrata për sinjalistikë

27 gusht 2021 | 13:23

Rreth 40 për qind e rrugëve në Kosovë nuk janë të mbuluara me kontratë për sinjalistikë. Ndërkohë, që vetëm në dy javët e fundit janë shpërndarë dhjetë gjoba për kompanitë që punojnë në ndërtim të rrugëve.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë mbajtur konferencë për sigurinë në trafikun dhe infrastrukturën rrugore.

Të dyja këto u kanë bërë thirrje të gjitha kompanive që punojnë në ndërtim të rrugëve që të kenë kujdes edhe t’i respektojnë kushtet e kontratës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi nga Pestova ka thënë se shumë vendpunishte kanë mbetur të pasiguruara dhe të njëjtave u mungon sinjalistika e duhur.

“Ne sot jemi këtu bashkë me Policinë e Kosovës që të paraqitemi para publikimit për një projekt të përbashkët, ku e kemi rritur intensitetin e inspektimeve në të gjitha punishtet që ndodhën në rrugët e Kosovës, sa i përket sigurisë rrugore. Siç e dini kur ne kemi ardhur në qeverisje, kemi gjetur një numër shumë të madh të projekteve të cilat kanë qenë të bllokuara dhe me vite të tëra nuk janë zhvilluar punimet aty. Kanë mbetur vend punishtet në shumë vende të pasiguruara dhe në shumë vende pa sinjalistikën e duhur sa i përket aspektit të sigurisë rrugore”, ka thënë ai.

“Diku 37 për qind të rrugëve nuk janë të mbuluara me kontrata për sinjalistikë, për shkak se nuk ka pasur kontrata prej vitit 2017 deri më tani. Tani ne kemi shpallur tenderin për sinjalistikë dhe është në procedurë. Besoj që shumë shpejt do të përfundojmë procedurat e prokurimit në mënyrë që të nënshkruajmë këto kontrata”, ka njoftuar zëvendësministri Durmishi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rozana Radi ka nisur më në fund pushimet dhe ka…