Durmishi: Ishin asfaltuar rrugë për vetëm 5 cent metri katror, kjo është e kundërligjshme

01 mars 2022 | 14:44

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, ka shprehur shqetësimet e tij se shumë rrugë të ndërtuara nga qeveritë e kaluara nuk kanë përmbajtje cilësore dhe janë pa standarde.

Durmishi ka përmendur para deputetëve se ka rrugë që është asfaltuar me vetëm 5 cent për një metër katror, teksa ka shtuar se në treg kjo kushton 8 deri 10 euro.

Rastet e tilla me çmime tejet të ulëta, sipas Durmishit janë të kundërligjshme.

“E tregova një rast tjetër ku e kemi 1 metër katror të asfaltit me vetëm 5 cent. Situate të tilla ka, edhe pse është e kundërligjshme, sepse e zyrat e prokurimit e kanë mundësitë që mos të lejojnë nënshkrimin e kontratave të tilla, ngase duhet kërkuar prej kompanisë arsyeshmëri për atë çmim që e ka vendosur. S’ka mundësi asnjë kompani me iu dhënë arsyeshmëri për një çmim 5 cent kur në treg kushton 8-10 euro. Pra, kemi situata të tilla”, ka thënë Durmishi.

Po ashtu, ai ka përmendur se 12 rrugë të ndërtuara nuk kanë as elaborat të shpronësimit, e njëra ndër to, sipas tij, është rruga kryesore me 6 korsi nga Prishtina deri te QMI-ja e ndërtuar në vitet 2008-2009.

“Kemi rrugë të ndërtuar që në vitin 2008, rruga kryesore nga Prishtina deri te QMI-ja, është me 6 korsi, e cila nuk është shpronësuar asnjë herë dhe s’ka elaborat. Dhe tash neve po na vinë paditë përmes gjykatave ku pronarët përmes gjykatave fitojnë të drejtën e tyre për pronën që iu është marrë në vitin 2008 e 2009. I kemi të identifikuara 12 rrugë të tilla që s’ka fare elaborat të shpronësimit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka shprehur dyshimet se korrupsioni në Ministrinë e Infrastrukturës shtrihet në dy nivele për çfarë sipas saj është edhe arseyja që shumë rrugë shpejt dëmtohen pasi ndërtohen.

“Korrupsioni shtrihet në dy nivele, është dhënia e kontratës dhe gjithashtu mbikëqyrja e kontratës. Shpeshherë operatorë ekonomik jo meritorë përfundojnë duke marrë projekte dhe pastaj niveli i dytë është tek zbatimi I kontratës pikërisht në mungesë të mbikëqyrjes së kontratës”, ka thënë Bajrami.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli edhe zyrtarisht është…