Ministria e Infrastrukturës anulon tenderin 44 milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka mbajtur të enjten një konferencë për media, në të cilën ka folur lidhur me anulimin e dy vendimeve të marra nga kjo ministri.
Gjatë fjalës së tij para gazetarëve, zëvendësministri Durmishi ka treguar se vendimi i parë ka të bëjë me anulimin e procedurës së prokurimit për projektin: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024”. Vlera e parashikuar e këtij projekti ishte 44 milionë euro.
“Janë dy arsye pse ne kemi anuluar këtë procedurë në këtë fazë. E para ka të bëjë me atë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë trevjeçare dhe nuk mund ta ndryshojmë më pasi të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime edhe në pozicione të paramasës e po ashtu edhe në kriteret teknike. Në vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë së ndërtimit të rrugëve, prandaj ky zhvillim duhet të jetë prezent edhe në rrugët tona. Kjo është arsyeja e parë që ne do të intervenojmë në pozicionet e paramasës në mënyrë që edhe mirëmbajtja të jetë shumë më cilësore në vitet në vazhdim ashtu siç do të jetë shumë më cilësor secili investim në të ardhmen. Pra ne jemi të interesuar që rrugët tona të jenë më të sigurta duke përdorur teknologjinë më të avancuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, ka thënë Durmishi.
Ai ka treguar edhe për arsyen e dytë, që sipas tij, ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet të ndryshojmë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurrencë më të madhe në mes kompanive. “Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshoj përfundimisht”, ka thënë Durmishi.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka folur edhe për anulimin e vendimit të dytë.
“Shfuqizimin e vendimit nr 5430 të datës 21 maj 2019 dhe vendimin nr 3992 të datës 1 qershor 2020 për themelimin e ekipit të kualifikuar për realizimin e aktiviteteve përgatitore, implementimin dhe menaxhimin e projektit për dhënie me Partneritet Publiko-Privat të ‘Shërbimit të testimit të kandidatëve për shofer, ndërtimin, funksionalizimin dhe operimin me objektet e qendrave për patentshofer’. Pra kemi shfuqizuar vendimin që parashihte privatizimin e shërbimit të patentshoferëve dhe objektet e qendrave për patentshofer”, ka thënë ai.
Durmishi ka thënë se nëse nuk e kemi gjendjen e mirë në sektorin e patentshoferëve atëherë duhet që ta sanojmë këtë gjendje dhe ta përmirësojmë këtë sektor.
“Ne kemi bërë veprimet e para menjëherë duke i dhënë prioritet dhe tani jemi në fazën e finalizimit të E-testimit për kandidatët për patentshoferë. Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore do ta funksionalizojmë E-testimin pasi që softwerin e kemi dhe kompjuterët dhe pajisjet e tjera të nevojshme do t’i kemi ditëve në vijim. E-testimi e rregullon dukshëm mbarëvajtjen e procesit të testimit sepse eliminohet faktori ‘njeri’ në këtë proces e rrjedhimisht eliminohen keqpërdorimet eventuale. Gjithashtu po punojmë që edhe qendrat regjionale të modernizohen me pajisje sa më parë që është e mundur”, është shprehur Durmishi.
Ai ka theksuar se këto dy vendime që kanë marrë përpos ndërprerjes së keqpërdorimeve dhe praktikave korruptive, kanë për qëllim edhe rritjen e sigurisë së qytetarëve në rrugë dhe komunikacion. “Pra në njërën anë po synojmë përmirësimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve dhe në anën tjetër pajisja me patentshofer të bëhet në baza meritore e jo korruptim”, ka deklaruar ai.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë me dije se si ministri janë në fazën e analizimit të shumë vendimeve që janë marrë muajve të fundit. “Shumë prej tyre do të anulohen ditëve në vijim, pra ato vendime që nuk janë në përputhje me ligjin apo vendimet që nuk kanë asnjë mbulesë financiare e që ka shumë të tilla. Ka vendime që janë nënshkruar edhe ditën e fundit, pra ditën kur është votuar qeveria e re, vetëm se në vendim nuk shkruan ora dhe nuk dihet a është nënshkruar vendimi para apo pas votimit të qeverisë së re”, ka thënë zëvendësministri Durmishi.