Durmishi: Sanimi i gjendjes emergjente ka ndodhur me sukses
Zëvendësministri i i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se sanimi i gjendjes emergjente ka ndodhur me sukses, janë vendosur gypat që të mos ketë ndërprerje të rrjedhës së ujit që është shumë e rëndësishme dhe për KEK-un edhe për furnizimin me ujë të qytetarëve.
“Jemi këtu bashkë me kryeshefin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenci’, Faruk Mujka, me ministrat, me ekipin e inxhinierëve, për ta diskutuar zgjidhjen e përhershme të këtij problemi, pra sanimin e përhershëm të kësaj gjendjeje”, tha Durmishi para gazetarëve.
Durmishi tutje tha se janë duke diskutuar për format e sanimit të gjendjes së tanishme në mënyrë që të rregullohet komplet kanali dhe të gjendet një zgjidhje e përhershme dhe të mos ketë më probleme të tilla në furnizim me ujë.
“Jemi duke diskutuar format se si duhet bërë kjo, pasi që dëmtimi është shumë i madh dhe nuk mund të ndërpritet rrjedha e ujit, duhet ta bëjmë një bay-pas që do të fillojnë punimet menjëherë, në mënyrë që, pastaj, ta rregullojnë komplet kanalin, që të jetë zgjidhje e përhershme dhe të mos kenë probleme me furnizim me ujë dhe të mos ketë më probleme të tilla”, tha Durmishi.