Duro i Gjilanit: Duhet të bëjmë një ndeshje të zgjuar
Trajneri i Gjilanit, Klodian Duro ka thënë se ekipi është gati për ballafaqimin me Progres Niederkon në kuadër të Conference League dhe se futbollistët e tij do të japin gjithçka nga vetja për kualifikimin.
Ndërkohë ekipi ka zhvilluar përgatitjet e fundit para duelit të parë në Luksemburg.
“Duam që të lëmë gjurmë në Europa Conference League. Gjatë gjithë kësaj kohe futbollistët janë stërvitur shumë mirë dhe kemi bërë gjithçka siç duhet për të qenë sa më të plotë dhe gati për ndeshjen. Jam shumë i bindur që futbollistët do të japin gjithçka dhe do të lënë shpirtin në fushë për klubin në radhë të parë, për tifozët dhe gjithë qytetin e Gjilanit. Jam shume i kënaqur me gjithçka qe kam gjetur te Gjilani dhe do të dhurojmë gjithçka për t’u kualifikuar në rundin tjetër”, ka thënë Duro.
“Duhet të bëjmë një ndeshje të zgjuar nesër nga ana taktike për të hedhur një hap të sigurtë dhe për ta bërë të mundur kualifikimin në ndeshjen e kthimit në Prishtinë më 20 Korrik”.
Ndërsa në mbrëmjen e të mërkurës skuadra kosovare është njohur me vendin ku do të zhvillohet ndeshja.
“Ekipi ka zhvilluar përgatitjet e fundit para duelit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës ndaj ekipit Progres Niederkorn nga Luksemburgu.
Futbollistët janë njoftuar me fushën e lojës në “Stade Municipal de la Ville de Differdange”, aty ku do të zhvillohet edhe dueli i së enjtes mbrëma.
I gjithë grupi ishte në dispozicion të kryetrajnerit Klodian Duro, përveç futbollistit Mevlan Zeka, i cili është stërvitur i diferencuar dhe po punon me kohën që të jetë gati për sfidat e para evropiane.
Njëherit kjo ishte seanca e fundit stërvitore para duelit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës për këtë edicion”, ka njoftuar klubi gjilanas.