Durrësi, në fundjavë, përplot pushues dhe turistë
Fundjava ka sjellë dyndje turistësh në plazhet e Adriatikut. Hotelet dhe resortet po punojnë thuajse me kapacitet të plotë.
Turistë të ardhur kryesisht nga Evropa thonë se e kanë zgjedhur Shqipërinë për shkak të natyrës së bukur, por edhe çmimeve mjaft të favorshme.
“Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë atraktive për turistët. Deti këtu është shumë i bukur, infrastruktura po ashtu. Në Poloni kemi disa agjenci që të tregojnë për Shqipërinë dhe turret në Shqipëri”, thotë një pushues polak.
Pushuesit besnikë, ata nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, edhe këtë vit vlerësojnë shërbimin dhe çmimet e arsyeshme në plazhet e Adriatikut.
Turoperatorët turistikë thonë se në kulmin e sezonit turistik, korrik-gusht, nisur edhe nga prenotimet, Durrësi do të shënojë një rekord të ri për numrin e turistëve.