Dushan Janjiq: Lista Serbe dhe Beogradi janë dakorduar që të mos shkaktohen incidente ditën e zgjedhjeve
Analisti serb, Dushan Janjiq vlerëson se është keq që nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët për kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës, derisa e sheh edhe si lëvizje të gabuar tentimin e qeverisë për të mbajtur zgjedhje në veri edhe pa përfshirjen e kësaj liste.
Në një bisedë me RTK, Janjiq ka thënë se ai është ‘në mesin e atyre të cilët konsiderojnë që fatkeqësisht nuk është mirë që nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët dhe që nuk është biseduar as nga shtetet e QUINT-it e as nga Prishtina e Beogradi se si Lista Serbe, që është larguar nga institucionet me një vendim të njëanshëm të kthehej në këto institucione’.
“E kuptoj se lëvizja për të organizuar zgjedhjet është një tentim i pushtetit në Kosovë që të tregojë se shteti funksionon dhe se nuk është krijuar një vakum institucional dhe i sigurisë por frikësohem se gjërat nuk qëndrojnë kështu.
Mendoj se këto zgjedhjet nuk do të kontribuojnë për të përmbushur këtë vakum institucional në veri, ndërsa në të njëjtën kohë do të shkaktojnë edhe disa tensione të reja dhe disa ngadalësime të reja në dialog e mbi të gjitha edhe në integrimin e komunitetit serb”, ka shtuar Janjiq.
Ai ka thënë se zgjedhjet do të mbahen, derisa nuk pret që të ketë incidente, pasi sipas tij qeveria në Beograd është dakorduar me Listën Serbe dhe i ka inkurajuar ata që të mos krijojnë asnjëlloj incidentesh dhe të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve, por që më pas t’i konsistojnë ato nëpërmjet presionit tek faktori ndërkombëtar.
Duke folur për daljen e serbëve në këto zgjedhje, Janjiq ka ngritur një paralele të Kosovës në kohën e Millosheviqit. “Kërkoj falje por do ta ngrejë një paralele tani me Kosovën me Millosheviqin. A dilnin shqiptarët në zgjedhje, jo nuk dilnin. Pra, mendoj se ky është një gabim politik i kryeministrit dhe presidentes së Kosovës, por kjo ka ndodhur.
Tani do të ndodhë një bojkot i zgjedhjeve dhe kjo është e pakontestueshme. Por ky është në problem më i vogël, pasi problem më i madh është se si do të dilet nga kjo situatë sepse është mëse e qartë se QUINT-i ka inkurajuar qeverinë e Kosovës të bëjë këtë lëvizje. Këtu ekziston një lojë shumë më serioze e menaxhimit të konfliktit në prapavijë dhe këtë do ta kuptojmë vetëm pas 2 majit”, ka nënvizuar Janjiq.
Ai tutje ka thënë se janë të shumta personalitetet si tek bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe opinionin kosovar që mendojnë se Asociacioni mund të shkëmbëhet me njohjen e pavarësisë, por sipas tij ‘kjo nuk do të ndodhë’.