Dushi: Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore
Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Florian Dushi, ka thënë të premten se nëse së shpejti nuk do të ketë një iniciativë serioze rreth reformës zgjedhore, vendi ynë sërish mund të zihet në befasi nga një palë zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme, por me sistem të vjetër zgjedhor.
Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se në këtë periudhë nuk ka ndonjë iniciativë konkrete nga askush rreth reformës zgjedhore.
“Prandaj, nëse e kemi parasysh faktin se Kosova tashmë ka humbur ritmin e ciklit të paraparë kushtetues të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta, problemet me të cilat ballafaqohet qeveria aktuale, e cila me shumë vështirësi edhe ka siguruar mbështetje në Kuvendin e Kosovës që në momentin e formimit të saj, atëherë me lehtësi mund të konkludojmë se, nëse së shpejti nuk do të kemi një iniciativë serioze rreth reformës zgjedhore, vendi ynë sërish mund të ‘zihet’ në befasi nga zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme, por me sistem të vjetër zgjedhor”, është shprehur Dushi.
Ai ka thënë se çështja e reformës zgjedhore ka mbetur peng i temave të tjera me të cilat aktualisht po merren institucionet e vendit. Dushi ka vlerësuar se arsyeja kryesore për mosrealizimin e reformës zgjedhore është mungesa e vullnetit të disa prej subjekteve politike.
“Arsyet për mosrealizimin e reformës zgjedhore mund të jenë të shumta, por ndër arsyet kryesore është mungesa e vullnetit të disa prej subjekteve politike, të cilat në asnjë fazë nuk i janë qasur me seriozitetin e duhur kësaj teme me kaq rëndësi për zhvillimin dhe avancimin e sistemit demokratik në vendin tonë”, ka deklaruar ai.
Dushi ka bërë me dije se shteti i Kosovës ka nevojë për reformë zgjedhore, e cila do të ndikonte pozitivisht në avancimin e sistemit demokratik në vend si dhe në mbrojtjen e procesit zgjedhor nga manipulimet eventuale. Sipas tij, reforma zgjedhore do të ndikojë edhe në reformimin e subjekteve politike.
“Epoka e re”: Z. Dushi, edhe më tutje vazhdon të mbetet në sirtar të institucioneve çështja e reformës zgjedhore. Pse po bëhen këto vonesa në këtë drejtim?
Dushi: Ju e dini se pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010 ka pasur shumë deklarime e zotime publike, madje edhe disa veprime lidhur me reformën zgjedhore, por deri më sot kjo çështje nuk është përmbyllur asnjëherë dhe pothuajse nuk është bërë asnjë ndryshim konkret. Zakonisht çështja e reformës zgjedhore aktualizohet në prag të zgjedhjeve, kur nuk ka asnjë mundësi reale që reforma të zhvillohet ose në një kohë të shkurtër menjëherë pas zgjedhjeve, kryesisht për shkak të disa pakënaqësive momentale të ndonjërit nga subjektet politike, por më pas kjo temë mbetet në harresë. Arsyet për mosrealizimin e reformës zgjedhore mund të jenë të shumta, por ndër arsyet kryesore është mungesa e vullnetit të disa prej subjekteve politike, të cilat në asnjë fazë nuk i janë qasur me seriozitetin e duhur kësaj teme me kaq rëndësi për zhvillimin dhe avancimin e sistemit demokratik në vendin tonë.
“Epoka e re”: Ka mbetur reforma zgjedhore peng i proceseve të mëdha siç janë demarkacioni me Malin e Zi, dialogu me Serbinë dhe formimi i ushtrisë së Kosovës?
Dushi: Ka mundësi. Ne gjatë këtyre viteve të fundit, shumica e subjekteve politike dhe disa nga institucionet tona, kemi parë se janë fokusuar më shumë në vetëm disa tema, ndoshta edhe për shkak të ‘atraktivitetit’ që këto tema bartin me vete, duke lënë kështu me një anë tema të tjera po kaq të rëndësishme për vendin tonë, sikurse është reforma zgjedhore.
“Epoka e re”: Nëse vazhdohet me këtë ritëm, a rrezikon Kosova që edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato lokale t’i mbajë sipas legjislacionit aktual?
Dushi: Siç e dini edhe ju, në këtë periudhë nuk ka ndonjë iniciativë konkrete nga askush rreth reformës zgjedhore prandaj, nëse e kemi parasysh faktin se Kosova tashmë ka humbur ritmin e ciklit të paraparë kushtetues të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta (sepse tri palë zgjedhje pas shpalljes së pavarësisë ishin zgjedhje të jashtëzakonshme), problemet me të cilat ballafaqohet qeveria aktuale, e cila me shumë vështirësi edhe ka siguruar mbështetje në Kuvendin e Kosovës që në momentin e formimit të saj, atëherë me lehtësi mund të konkludojmë se, nëse së shpejti nuk do të kemi një iniciativë serioze rreth reformës zgjedhore, vendi ynë sërish mund të ‘zihet’ në befasi nga zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme, por me sistem të vjetër zgjedhor.
“Epoka e re”: Cilat do të ishin të mirat e reformës zgjedhore?
Dushi: Gjatë gjithë këtyre viteve subjektet politike, institucionet e ndryshme, shoqëria civile, edhe misionet e ndryshme të vëzhguesve të BE-së, kanë evidentuar një numër të madh të aspekteve të cilat duhet të ndryshohen në procesin e organizimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Disa nga këto ndërlidhen me disa aspekte të vet sistemit zgjedhor e disa të tjera me disa çështje teknike/organizative të zgjedhjeve. Personalisht mendoj se të gjitha këto çështje të ngritura duhet të trajtohen dhe analizohen me shumë kujdes, duke i bërë edhe ndryshimet e nevojshme, ndryshime të cilat, përveç që zgjedhjet do t’i bënin më të mbrojtura prej tendencave eventuale të manipulimit, në përgjithësi do të ndikonin pozitivisht edhe në avancimin e sistemit demokratik në vend.
“Epoka e re”: Reforma zgjedhor mund të ketë efekt edhe në reformimin e subjekteve politike?
Dushi: Reforma zgjedhore konform standardeve më të avancuara ndërkombëtare, e cila në fund do të siguronte zgjedhje të rregullta dhe rezultat të saktë zgjedhor, është shumë me rëndësi për vendin tonë, në radhë të parë sa i përket funksionimit më të mirë të institucioneve shtetërore të cilat, siç kishim rastin të shohim në vitet e fundit, kishin probleme të theksuara sa i përket funksionimit dhe produktivitetit të tyre. Reforma zgjedhore e cila si përfundim do të kishte përmirësimin e cilësisë së sistemit zgjedhor, është e nevojshme edhe për shkak se cilësia e sistemit zgjedhor ndikon në masë të madhe edhe në cilësinë e sistemit politik e demokratik që do ta kemi në vendin tonë. Madje ndikon edhe në cilësinë e ofertës zgjedhore, programit qeverisës apo kandidatëve që subjektet politike garuese në zgjedhje do t’i përzgjedhin. Pa dyshim se në këtë mënyrë do të ndikojë edhe në reformimin e subjekteve politike deri në një masë. Ajo që do të ndikonte jashtëzakonisht shumë në reformimin e subjekteve politike është nxjerrja e një ligji të veçantë që do të rregullonte shumë aspekte që ndërlidhen me funksionimin e gjithëmbarshëm të subjekteve politike në vendin tonë.
Shqipe HETEMI