Dushi: Të hetohet rasti i fëmijëve duke bërë përshëndetje ushtarake me flamurin turk
Baton Dushi, këshilltari i ministrit në largim të Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka reaguar ndaj rastit, i cili është paraqitur në media, ku shihet një person i rritur, që besohet të jetë mësimdhënës, dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.
Dushi ka kërkuar që këtë rast ta ndjekin dhe ta hetojnë krimet e rënda, sepse sipas tij, ata që keqpërdorin nxënësit për përfitime, për shërbim nga ish-pushtuesit turq duhet të goditen nga ligji.
“E keqja që ka pllakosur në mendjet e sëmura të kujtdo si rasti i keqpërdorjes së nxënësve për përfitime, shërbimi nga ish pushtuesit turq duhet të goditet nga ligji më peshën edhe të ligjit edhe të shëmbëllimit! Ekstrmizmat e tillë janë etablime të ekstremizmit në sistemin tonë shkollor ku krijojnë kushte rekrutimi! Këtë rast duhet ta ndjekin e hetojnë krimet e rënda me materie luftën kundër radikalizmit!”, ka shkruar Dushi në llogarinë e vet në “Facebook”.