Dushku: Zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve, prioritete të FBK-së

10 janar 2022 | 17:16

Sekretaresha e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, është riemëruar edhe për një mandat shtesë (4-vjeçar) në këtë pozitë.

Përkushtimi në punë dhe perfomanca e shkëlqyeshme në detyrat e saj bënë që bordi i FBK-së njëzëri ta miratojë propozimin e kryetarit Arben Fetahu për riemërimin e Dushkut në këtë pozitë e që, në fakt, është një post që sjell me vete shumë përgjegjësi, por është edhe nder e privilegj të jesh sekretareshë e përgjithshme e federatës së dytë më të madhe sportive në vend. Dushku në vitin 2017 ishte emëruar ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme, ndërsa pas një viti bordi i FBK-së ia kishte besuar pozitën e sekretareshës së përgjithshme me mandat katërvjeçar.

Atëbotë Dushku ka qenë e vetmja grua në pozitën e ekzekutives në një federatë apo organizatë sportive. Dushku për faqen zyrtare të FBK-së ka folur për të arriturat me FBK-në në mandatin e saj të parë dhe për punën që e pret në mandatin e dytë së bashku me bordin, stafin e zyrës ekzekutive dhe të gjitha grupet e tjera të interesit të Federatës.

Çfarë do të kishit veçuar nga të arriturat me FBK-në në mandatin tuaj të parë?
Të arriturat me FBK-në në mandatin tim të parë do t’i kisha ndarë në katër pika: Edukimi im në pozitën e lideres ekzekutive së një organizate të madhe sportive, siç është Federata e Basketbollit e Kosovës, prej së cilës presin të gjithë shumë dhe nga ky edukim qëllimi ka qenë që, krahas meje, të përfitojnë të gjithë të tjerët, duke filluar nga vetë federata si organizatë sportive, por edhe anëtarët e tjerë që janë pjesë e zyrës, gjë që edhe ka ndodhur. Ndërtimi i zyrës, pra krijimi i stafit të zyrës ekzekutive dhe krijimi i një ambienti të mirëfilltë për punë, si dhe krijimi i një standardi të punës brenda zyrës ekzekutive, gjithnjë duke u bazuar në qeverisje të mirë, llogaridhënie dhe transparencë. Ndërtimi i raporteve të mira me të gjitha grupet tona të interesit, punë të cilën në vazhdimësi duhet ta bëjmë.
Hartimi i Planit Strategjik Pesëvjeçar të FBK-së, për herë të parë në histori të Federatës. Pra, këto kanë qenë disa nga të arriturat e FBK-së në mandatin tim të parë, të cilat do të kisha dashur t’i veçoj, por që sigurisht se për t’i realizuar të gjitha këto ne e kemi në krye një lider shembull siç është kryetari Fetahu, i cili me punën e tij të palodhshme, por edhe shumë të mençur, mua më shtynë që të shkoj hapave të tij për realizimin e objektivave tona të përbashkëta në federatë. Krahas mbështetjes së kryetarit, bordi gjithmonë është krah meje, sepse unë me të vërtetë e bëj punën me përkushtim dhe angazhim maksimal, ndërsa sa i përket stafit të zyrës ekzekutive mund të them se jemi rritur dhe zhvilluar së bashku, duke mësuar nga njëri-tjetri, por që sigurisht se si përgjegjëse e zyrës ekzekutive deri më tani mendoj se e kam udhëhequr me mjaft sukses punën dhe zhvillimin e anëtarëve të tjerë të stafit të zyrës.

Për çfarë jeni krenare më së shumti nga mandati juaj i parë në pozitën e sekretareshës së përgjithshme të FBK-së?
Ajo për çfarë krenohem më së shumti është se kur e kam marrë detyrën e u.d. sekretareshës së përgjithshme më 2017 kemi qenë vetëm tre persona të punësuar në zyrë, ndërsa sot ne jemi 13 anëtarë/e që jemi pjesë e zyrës ekzekutive, që do të thotë se jemi rritur dhe zhvilluar, gjithnjë sipas nevojave të parapara gjatë këtij procesi të rritjes si organizatë. Secili anëtarë i stafit të zyrës është pjesë e programeve të ndryshme të edukimit në FIBA, që na bënë të jemi shumë krenarë me investimet që i bëjmë në stafin tonë, në ndërtimin e tyre, por edhe në zhvillimin e vetë federatës. Pra, ne jemi rritur shumë si federatë, por kjo nuk do të thotë se duhet të vetëkënaqemi, sepse jemi të vetëdijshëm se na pret një punë shumë e madhe në vitet në vazhdim për ta implementuar Planin Strategjik 2021-2025.

Të ndalemi te Plani Strategjik i FBK-së. Viti 2021 ka qenë viti i parë i fillimit të implementimit të tij. Sa jeni të kënaqur me ecurinë e këtij plani?
Plani Strategjik i FBK-së 2021-2025 është përgatitur në bashkëpunim me FIBA-n dhe ne së bashku me zyrtarët e FIBA-s që janë përgjegjës për zhvillimin e federatave nacionale çdo tre muaj e bëjmë analizën e punës së arritur brenda tre muajve, gjashtë muajve dhe, së fundi, kemi arritur ta bëjmë edhe analizën e nëntëmujorit të parë. Mund të them me plot mburrje se jemi shumë të kënaqur me të arriturat tona në këtë nëntëmujor, gjë që na ka dhënë motivim shtesë për të punuar edhe më shumë në vitin e dytë të implementimit të këtij plani. Është shumë më lehtë kur i ke objektivat e qarta brenda një organizate, e ke bordin dhe stafin prapa vetes dhe e tëra që duhet të bësh është ta udhëheqësh implementimin e realizimit të këtyre objektivave.

Cilat janë objektivat e FBK-së për vitin 2022?
Zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve tona do të jetë ndër objektivat me prioritet për FBK-në në këtë vit, ku në bashkëpunim me FIBA-n do të organizojmë seminare për menaxhimin e klubeve/organizatave sportive, në të njëjtën kohë do të mundohemi sa më shumë të komunikojmë me klube, si dhe kështu ta bartim përvojën tonë te klubet. Por për ta realizuar këtë duhet një vullnet i dyanshëm, e që besoj se në këtë rast nuk mungon nga të dyja palët. Ne mendojmë se sa më të forta dhe më të zhvilluara do të jenë klubet tona, aq më i fuqishëm do të jetë sporti ynë, pra basketbolli, por edhe vetë federata. Fuqizimi i grave/vajzave në basketboll, pra ne synojmë që krahas masivizimit dhe rritjes së cilësisë në basketbollin femëror, të arrijmë të krijojmë lidere, menaxhere të suksesshme, trajnere të suksesshme, gjyqtare të suksesshme e kështu me radhë. Këtu mendoj se do të kemi mjaft punë dhe do të përballemi me sfida të mëdha, por ne jemi të gatshëm që këtë objektiv ta realizojmë konform afateve kohore të paraqitura në Planin Strategjik. Stabiliteti financiar në FBK do të vazhdojë të jetë ndër objektivat kyçe edhe më 2022. Në vitin 2021 kemi qenë shumë të kënaqur me të hyrat që i kemi realizuar dhe kjo na jep forcë për të vazhduar punën për sigurimin e sponsorëve/partnerëve të tjerë të ardhshëm të federatës. Do të vazhdojmë të punojmë dhe zhvillojmë Qendrën Nacionale të Basketbollit, do të sjellim Junior NBA në Kosovë, do të punojmë me përfaqësueset e Kosovës, si dhe do të përpiqemi që të zhvillojmë sa më shumë basketbollin 3×3, e që është një tjetër objektiv sfiduese për ne.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollywood-it zbuloi fituesit për…