DW: Mbi 100 të rinj shqiptarë i janë bashkuar ISIS, kanë shkuar të luftojnë në Siri
“Deutsche Welle”, i’a ka kushtuar një kronikë të zgjeruar predikuesve radikalë të islamit në Shqipëri.
Sipas hulumtimeve, mbi 100 të rinj shqiptarë janë nisur për të luftuar për ISIS-in në Siri dhe Irak.
Rreth gjysma e tyre raportohen si të vrarë, zhdukur apo që nuk dëshirojnë të kenë asnjë kontakte me vendin.
Ekipi i “DW”, ka vizituar burgun e Fushë-Krujës ku ka biseduar me disa prej personave që vuajnë dënimin për terrorizëm. Të ashtëquajturit “klerikë” myslimanë, edhe pse gjenden prapa hekurave, ende përkrahin militantët e “shtetit islamik”.
Ata nënvizojnë se duhet të ishin të parët që të shkonin në vatrat e luftës për të mbrojtur popullsinë myslimane nga forcat e NATO-s dhe ushtria e presidentit sirian Bashar Al-Assad.
Një prej tyre është edhe Fadil Myslimani i cili sipas vendimit të gjykatës rezulton se përmes propagandës fetare ka frymëzuar disa shqiptarë që të ndjekin rrymën tekfiriste dhe salafiste të islamit për t’u përfshirë në luftimet e xhihadistëve në Siri. “Shteti islamik kërkon që të vendosë drejtësi në tokë dhe të sundojë ligji i zotit. Nuk është terrorizëm. Kjo është kërkesa jonë e vetme. Ai u krijua për të hedhur poshtë diktatorin Basharal–Assad ku edhe prindërit e gjyshërit e tij kanë drejtuar po me të njëjtën mizori. Pse nuk përdoret termi terrorizëm i krishterë, budist por veç islam? Nuk ndjehet SHBA dhe Evropa për këtë,” ka rrëfyer Fadil Myslimani për televizionin ndërkombëtar gjerman “Deutsche Welle”.
Reporterët vizituan edhe fshatin Leshnicë të Pogradecit, i cili u shndërrua në një bazë të islamit radikal në Shqipëri.
Duket se sot gjithçka ka përfunduar dhe banorët i janë rikthyer jetës normale. Ata që vuajnë ende janë familjarët e personave të zhdukur që morën rrugën për në Siri.
Të gjendur të pashpresë për t’i parë sërish, ata apelojnë për rikthimin e tyre.
Kryeplaku i fshatit Vladimir Lipo tregon se personat që ikën nga fshati për të luftuar në Siri nuk kanë qenë problematikë duke shprehur habi se si ata mundën të binin pre e islamit radikal.
Ndërkohë më poshtë mund të ndiqni materialin e plotë të pregatitur në varjantin audio-video.
https://www.youtube.com/watch?v=owRp-UzJVK4