DW: Putini ka mësuar nga gabimet e mëparshme
A po tërhiqet vërtet Rusia? A po ia lë presidenti rus Vladimir Putin ushtrisë ukrainase Khersonin, të vetmin kryeqytet të rajonit që është pushtuar që prej sulmit në shkurt? Pa u tharë ende boja e nënshkrimit në dokumentat e aneksimit?
Në fakt pikërisht kjo ka ndodhur. Ministria ruse e Mbrojtjes njofton se tërheqja ka përfunduar.
Reagimi i parë i kujdesshëm nga Kievi tregon se sa vështirë e kanë ukrainasit ta besojnë, megjithëse kanë punuar aq kohë për këtë. Që nga korriku ushtria ukrainase me ndihmën e raketave të shumta amerikane HIMARS ka sulmuar dhe dëmtuar sistematikisht urat mbi lumin më të madh të vendit, Dnjepër.
Kështu furnizimi i trupave ruse në bregun e djathtë u bë i vështirë, nëse jo i pamundur. Megjithatë ngurrimi i Ukrainës është i justifikuar, sepse tërheqja është një humbje kolosale, historike për Rusinë, e krahasueshme me përpjekjen e dështuar për të marrë Kievin në fillim të pushtimit. Është një goditje për patriotizmin e shumëpërfolur dhe moralin luftarak të ushtrisë ruse, që tashmë është i ulët.
Putini ka mësuar nga gabimet e mëparshme
Nga pikëpamja ushtarake kjo disfatë është veçanërisht e vështirë, sepse me humbjen e bregut të djathtë të lumit Dnjepër, Rusia humbet urën për përparimin drejt Mykolajivit dhe Odesës. Këto janë vende, ku mund të vendoset më vonë fati i kësaj lufte. Nëse Ukraina mund t`i mbajë këto zona strategjike dhe shanset janë të mira, e gjithë lufta dhe bashkë me të edhe regjimi i Putinit do të dështojnë përfundimisht.
Edhe për këtë arsye Putini ua ndaloi së fundmi gjeneralëve, nëse informimi i New York Times është i saktë, të hiqnin dorë nga Khersoni. Ndryshimi i qëndrimit të tij tani tregon se shefi i Kremlinit ka mësuar nga gabimet e mëparshme dhe kjo është e rrezikshme në lidhje me planet e tij të ardhshme.
Nga pikëpamja ruse është logjike që të braktiset ura në bregun e djathtë, nëse është e vështirë që të ruhet dhe të mbrohet. Kështu e shohin edhe ekspertët ushtarakë perëndimorë. Por ai që kërkon logjikë në veprimet e Rusisë në Ukrainë, vetëm humb kohë. Që kur nisi në vitin 2014, kjo luftë ka qenë dhe mbetet një akt çmendurie.
Shumë artikuj dhe libra përshkruajnë se Rusia tradicionalisht merr pak parasysh humbjet njerëzore në luftë. Lufta kundër Ukrainës nuk përbën përjashtim. Rusia thjesht nuk ka luftëtarë të mjaftueshëm për të mbajtur vijën e frontit më shumë se 1000 kilometër të gjatë. Prandaj ishte i nevojshëm mobilizimi, i cili vazhdon.
Miratimi i Putinit për një tërheqje të turpshme nga Kherson do të thotë, se pas disa humbjeve, ai nuk mund të ndërhyjë më aq shumë në planifikimin e luftës. Megjithatë ai nuk do të heqë dorë nga planet për të pushtuar sa më shumë territor ukrainas dhe për të rrëzuar qeverinë në Kiev.
Khersoni mund të kishte fatin e Mariupolit
Sidomos meqë Rusia vështirë se do t’i japë ushtrisë ukrainase shansin për t’u vendosur dhe për të kaluar dimrin atje. Ekziston rreziku, që ushtria ruse të hedhë në erë digën në Nova Kakhovka dhe ta fajësojë për të Ukrainën. Kjo do të ishte një katastrofë për njerëzit në rajon dhe do të frenonte përparimin e Ukrainës. Edhe nëse kjo nuk ndodh, Rusia mund të qëllojë nga bregu i majtë mbi pozicionet ukrainase në Kherson. Khersoni rrezikohet të bëhet një qytet gërmadhë, si Mariupoli.
Në dimër në rajonin e Khersonit mund të ketë një luftë llogoresh, ndërsa në Donbas pritet një intensitet i ri. Është e mundur që Rusia të përforcojë atje trupat me njësitë, që tani janë tërhequr nga Khersoni. Një gjë e tillë ka ndodhur pas disfatës në Kiev. Në atë kohë, falë përforcimeve, Rusia qe në gjendje të pushtonte qytetet Severodonetsk dhe Lysychansk. Kjo përvojë është një tjetër arsye për Ukrainën, për të mos festuar shumë shpejt. Deri në humbjen e Rusisë është akoma një rrugë e gjatë.
Mësimi më i rëndësishëm i Khersonit është se Ukraina ka dëshmuar edhe një herë se mund të përballet me sukses me Rusinë dhe burimet e saj superiore. Kjo është e rëndësishme edhe për mbështetjen perëndimore, sepse pa këtë mbështetje nuk do të kishte pasur fitore të Ukrainës në Kherson. /DW/