Dy aktakuza për rastin e veteranëve
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave të pandehur për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria njofton se të pandehurit, R.A., dhe N.A., nga Ferizaj, gjatë muajit prill 2018, kanë vënë në lajthim organin kompetent Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë kinse dy të pandehurit janë “Veteran Luftëtar të UÇK-së”, në atë mënyrë që me dokumente të falsifikuara edhe atë certifikatën veteran luftëtar dhe vërtetimin e veteranit luftëtar, të pandehurit kanë aplikuar në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive tjera të përcaktuara me ligj, ku kanë arritur të përfitojnë pagë mujore prej 170.00 eurove secili veç e veç, nga muaji maj 2018 deri në muajin shtator 2018, duke i shkaktuar dëme materiale të dëmtuarës, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në shumë prej 1.020.00 euro secili veç e veç.
Me këto veprime të pandehurit R.A., dhe N.A., kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.
/Epoka e re/