Dy basketbollistë të Phoenix Suns rezultojnë pozitivë me Covid-19
NBA vijon të marrë goditje nga koronavirusi teksa vijon me përgatitjet e rifillimit të kampionatit që është parashikuar për në fund të korrikut në Disney World të Florida.
Dy basketbollistë të Phoenix Suns, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, rezultuan pozitivë me Covid-19 gjatë kësaj javë, gjë që bëri skuadrën e Suns të mbyllë strukturat e saj si masë parandaluese ndaj këtij virusi. Shteti i Arizonës është një prej vendeve me më shumë të prekur nga koronavirusi në SHBA me mbi 2000 raste të reja të raportuara gjatë javës së fundit
Disa prej basketbollistëve te Phoenix morën pjesë në stërvitjet e fundit vullnetare që klubi organizoi në Arizona Veterans Memorial Coliseum, ndërkohë që nga dita e martë, skuadrat e NBA morën miratimin për të krijuar grupe me nga 4 lojtarë në të njëjtat struktura në të njëjtin moment, një vendim që duket se ka pasur pasoja direkte te Suns.
Ndërkaq, sipas gazetarit të ESPN, Adrian Wojnarowski, edhe te një skuadër tjetër e Konferencës së Perëndimit u shënuan 4 raste pozitive me koronavirus javën e kaluar. NBA tashmë ka nisur kryerjen e testeve përditë te skuadrat të cilat po përgatiten për të regjistruar një valë rastesh pozitive me Covid-19.