Dy botërorë futbolli në një vit
Futbolli ndërkombëtar, për shkak të pandemisë Covid-19, ndryshoi kalendarin dhe kjo nga shtyrja e Kampionatit Evropian, te spostimi i kampionateve e deri te shtyrja e afatit të transferimeve. FIFA po përgatitet për të mos i lënë asgjë rastësisë në vitin 2022. Ai do të jetë viti i Botërorit në Katar, por edhe i Botërorit të Klubeve. Dy evenimentet madhore të organizuara nga Konfederata Botërore e Futbollit.
Botërori i Klubeve është parashikuar të zhvillohet gjatë muajve të verës, mes qershorit dhe korrikut, ndërsa Kupa e Botës është programuar të zhvillohet në fund të vitit, mes muajve nëntor dhe dhjetor.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, hodhi idenë që edicioni i ri i Botërorit të Klubeve të inaugurohet gjatë verës së vitit 2022, duke përfituar edhe nga spostimi i Kupës së Botës në periudhën e dimrit. Sipas projektit të miratuar, 24 skuadra klubesh do të marrin pjesë në formatin e ri të Botërorit për Klube, ku vetëm nga pjesëmarrja do të përfitojnë 20 milionë euro.
Fituesi i trofeut, përveç lavdisë, do ta përfitojë çmimin prej 100 milionë eurosh. Në evenimentin e FIFA-s pritet që të marrin pjesë tetë skuadra evropiane, të cilave do t’u shtohen edhe gjashtë klube nga Amerika e Jugut. 10-të vendet e mbetura do të plotësohen me ekipe Amerika Veriore, Azia, Afrika dhe Oqeania.