Dy dekada nga masakra e Belegut

28 mars 2019 | 11:33

Endrit BINAKAJ

Teksa intervistoja të mbijetuarit e Masakrës së Belegut, trupin ma kaplonte një ndjenjë drithëruese, frymëmarrja më ndalej në gjysmë, e sytë mbeteshin të palëvizshëm. Ngurtësia e shikimit përfundonte me fundin e rrëfimit nga dëshmitarët e Masakrës së Belegut, që kishte ndodhur më 28 dhe 29 mars 1999.

Me fjalët e dëshmitarëve zhytesha thellë në skenën tronditëse që kisha përjetuar si fëmijë, ku aktorët e këtij teatri krimesh famëkëqija ishin forcat serbe, një bishë e përbindshme, e armatosur rëndë, e që luante në mënyrën më çnjerëzore me viktimën e lënë në mëshirën e fatit, me qenien shqiptare, e cila, sipas tyre, duhej medoemos të shfarosej e tëra, për të vetmen arsye pse kishte lindur e tillë dhe jetonte në truallin autokton, të trashëguar nga paraardhësit tani e mijëra vite më parë.

Të duket e çuditshme: luftëra, mbase, ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit me ritin e luftës për vrasje, grabitje, djegie; por lufta e fundit e ushtrisë çetnike serbe gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë ishte më shumë se kaq, ishte terror sistematik mbi popullsinë civile, gjenocid e përdhosje e dinjitetit njerëzor.

Si mund të justifikohet vrasja dhe masakrimi i një foshnje të sapolindur në djep, apo i një loke shqiptare së veçse kishte lindur e rritur djelmosha që t’i dalin zot këtij vendi, duhej pushkatuar.

Çfarë ka të bëjë kjo me luftën?

Natyrisht, që nuk ka të bëjë aspak me një luftë të forcave proporcionale. Gjenocidi serb përfshinte vetëm tmerrin, masakrën, vrasjen e civilëve të pambrojtur dhe përdhosjen e dinjitetit njerëzor, që bota perëndimore i kishte ndaluar që para disa dekadave dhe i sanksiononte me dënime të ashpra veprimet e tilla.

Mirëpo, paradoksal është fakti se të gjitha këto llahtari tmerri, po ndodhnin pikërisht në mes të kontinentit të vjetër, Evropës, aq më i rëndë fakti ishte se po ngjanin në pragun e fillimit të Mijëvjeçarit të Dytë të ekzistimit të qenies së civilizuar njerëzore.

Kosova, e mbetur historikisht nën thundrën e armikut, gjatë viteve 1998-1999 përjetoi tmerrin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, ku ndodhën masakra e terrori i nazi-fashistëve ndaj hebrenjve të ngujuar në kampet e njohura të përqendrimit. Një Auschwic i ri po ribëhej në një territor më të vogël, diku në pjesën perëndimore të Ballkanit të trazuar nga luftërat shekullore që e shoqëruan përgjatë historisë.

Fshati Beleg në truallin ku jam lindur, e kishte fatin e njëjtë ogurzi të Kosovës: të përjetonte episodin më të kobshëm të ekzistimit të tij shekullor.

Çfarë kishte ndodhur me të vërtetë në ditët dhe netët e 28 dhe 29 marsit 1999 në Beleg?

Pas disfatës së rëndë që kishte pësuar ushtria barbare serbe tek Ura e Pozharit, në Betejën e Pozharit, të datës 28 mars nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, në shenjë hakmarrjeje, u kishin vërsulur me një ofensivë të egër vrasëse ndaj popullatës civile, të pambrojtur, në fshatrat Irzniq dhe Beleg.

Më 28 mars, në fshatin Irzniq, bishat serbe vranë 7 persona, në mesin e tyre edhe një nënë.  Ndërsa më 29 mars të vitit 1999 në fshatin Beleg, forcat e mëdha paramilitare serbe kishin filluar të shkatërronin dhe digjnin çdo gjë. Me këto nuk u ngop bisha serbe, para syve të familjarëve forcat çetnike serbosllave pushkatuan prof. Nezir Vishajn, Naim Vishajn dhe Daut Aliçkajn. Ishte e njëjta ditë ogurzezë për fshatin tim të lindjes.

Përjetimet e kujtimet e mia dhe të të mbijetuarve tjerë nga kjo ditë mortje, kanë për të jetuar gjatë në memorien time, aq gjatë sa do më frymojnë mushkëritë në ajrin e Kosovës së lirë, cila kullon ende gjak nga plagët që nuk shërohen lehtë.

Këto kujtime mëtoj të mos harrohen kurrë as nga pasardhësit që do të vijnë, së paku do t’i kenë disa rreshta për atë çfarë kishte ngjarë në Kosovë e sidomos në Beleg në vitin 1999. Mbase, siç na mëson përvoja historike, gjërat që harrohen, kanë gjasë që të përsëriten e ne nuk guxojmë me asnjë kusht të na ndodhë kjo.

Së bashku më rrëfimtarët e mbijetuar të kësaj masakre, unë jam bashkudhëtar i asaj vuajtjeje e tmerri, ndonëse fëmijë. Gjenocidi i bishës karpatiane nuk njihte kategorizime të tilla, vdekja të trokiste në çdo hap e në çdo çast.

Në fshatin Beleg, më datë 29 mars 1999, mbetën të vrarë 46 civilë shqiptarë të pambrojtur. Në mesin e tyre kishte edhe adoleshent, si Faton Vishaj, i cili ende nuk i kishte mbushur 16 pranvera, e deri tek pleqtë në moshë shumë të shtyrë.

Plagët e marra nga lufta e vitit 1999, Belegun e godasin fort edhe pas  dy dekadave të Masakrës. Përpos disa personave që janë identifikuar nga kjo ngjarje makabre, pjesa dërmuese e të rënëve në Masakrën e Belegut mbesin ende të zhdukur.

Drejtësia Ndërkombëtare po hesht në zbardhjen e autorëve të veprave gjenocide në luftën e fundit në Kosovë. Po hesht sidomos për Masakrën e Belegut. Edhe pse te mbijetuarit e saj, madje disa herë kanë dëshmuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, prapë se prapë, jo vetëm që nuk ka ndonjë lëvizje konkrete në dënimin e kryerësve të krimit, por shqetësues mbetet fakti se ende, pas 20 viteve, nuk dihet për fatin e shumicës dërmuese të të rënëve në këtë masakër.

Rrëfimi im në dy librat e botuara, synon të japë një pamje a hartë autentike të Masakrës së ndodhur në të Hënën e Zezë të 29 marsit 1999.

Është përpjekje modeste e një të mbijetuari që në atë kohë sapo kishte mbushur nëntë pranvera.

(Autori është i mbijetuar i masakrës së Belegut dhe autor i dy librave për masakrën)

Të rënët në Masakrën e Belegut

 

Në masakrën e Belegut janë vrarë 46 civilë shqiptarë. Deri më tani, kur kanë kaluar plotë dy dekada nga momenti i këtij akti barbar i kryer nga forcat paramilitare serbe, janë të identifikuar këta persona:

  • SHAQË (Curr) BINAKAJ
  • HYSNI (Curr) BINAKAJ
  • NEZIR (Ibish)VISHAJ
  • NAIM (Daut) VISHAJ
  • DAUT (Murat) ALIÇKAJ
  • GËZIM (Selmon) VISHAJ
  • JETMIR (Arif) MAZREKAJ
  • QAZIM (Osë) HULAJ
  • SADRI (Adem) ZUKAJ
  • SHEFQET (Curr) BELEGU
  • SHABAN (Haxhi) KADRIAJ
  • ALI (Haxhi) KADRIAJ

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

  • ZYMER (Miftar) BINAKAJ
  • BRAHIM (Adem) ZUKAJ)
  • HAMID (Dervish) ZUKAJ
  • REXHEP (Lum) NEZIRAJ
  • FATON (Hasan) VISHAJ
  • FATMIR (Halil) VISHAJ
  • RAMË (Shaban) KILAJ
  • SADRI (Hajdar) VISHAJ
  • MUJË (Isuf) VISHAJ
  • MALË (Isuf) VISHAJ
  • ZENEL (Ukë) VISHAJ
  • HAZIR (Himë) ZUKAJ
  • SHABAN (Ramë) NITAJ
  • NEKË (Halil) BINAKAJ
  • HAJDAR (Hamëz) MAZREKAJ
  • ALI (Avdyl) MAZREKAJ
  • BASHKIM (Lush) HADERGJONAJ
  • AFRIM (Lush) HADERGJONAJ
  • XHEVDET (Bajram) HADERGJONAJ
  • MUHAMET (Bajram) HADERGJONAJ
  • MEHMET (Halil) TOLAJ
  • XHEVAT (Ukë) TOLAJ
  • MISIN (Hajdin) TOLAJ
  • ARIF (Haxhi) MAZREKAJ
  • ISA (Tahir) TOLAJ
  • SAHIT (Bekë) MAZREKAJ
  • Hasan (Sahit) MAZREKAJ
  • Sundim (Sahit) MAZREKAJ
  • Naim (Hysen) TOLAJ
  • Ragip (Osmon) MORINA
  • Beqir (Idriz) DERVISHAJ
  • Tafë (Bekë) DINAJ
  • Smajl (Ramë) UKËHAXHAJ
  • Haxhi (Shaban) KADRIAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lojtarët në një fushë golfi janë befasuar pasi një aligator…