Dy derbi në Superligë
Xhiroja e 13-të e IPKO Superligës në futboll sjell sot (e mërkurë) dy ndeshje derbi. Nga ora 13:00, lideri i elitës, Ballkani, e pret skuadrën e Llapit e më pas, nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” takohen Prishtina dhe Feronikeli. Dy ndeshjet e fundit për këtë xhiro zhvillohen sot (e enjte).
Elita e futbollit të Kosovës ka filluar të bëhet shumë interesante, kurse sot (e mërkurë) zhvillohen katër ndeshje të javës së trembëdhjetë, e që dy prej tyre janë superderbi. Ballkani, që është edhe lider aktual, e pret skuadrën e Llapit, me synim që ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive. Sulmuesi Jetmir Topalli ka thënë për gazetë se fitorja e fundjavës së shkuar ndaj “Niklit” është një motiv për ndeshjet e radhës, por që nuk ka parashikuar epilogun e derbit të sotëm.
“Fitorja ndaj Feronikelit na ndihmon dhe motivon edhe më shumë për ndeshjet që kanë mbetur në sezonin vjeshtor, përfshirë edhe derbin e radhës ndaj Llapit. Ne do të hyjmë në fushë të përgatitur maksimalisht dhe do të angazhohemi që t’i përmbushim detyrat e trajnerit Ismet Munishi, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Topalli.
Për këtë ndeshje foli edhe kapiteni i Llapit, Mentor Zhdrella, i cili bën me dije se skuadra nga Podujeva do të ishte e kënaqur edhe me një barazim.
“Do të jetë ndeshje e vështirë. Ballkani është ekip që duhet respektuar, madje është edhe në formë të mirë. Ne do të shkojmë për rezultat pozitiv, por do të jemi të kënaqur edhe me një barazim”, ka thënë Zhdrella.
Diferenca në mes të këtyre dy skuadrave është gjashtë pikë. Derbi i dytë i kësaj xhiroje zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Prishtina ka pësuar humbje në dy përballjet e fundit nga “Nikli”, por portieri Visar Bekaj është optimist se kësaj radhe fitore do të shënojë Prishtina.
“Shpresoj shumë se bashkëlojtarët e fazës së sulmit ta gjejnë golin kundër një kundërshtari të fortë siç është Feronikeli. Është fakt që ‘Nikli’ na ka mposhtur në dy duelet e fundit, por para saj ne kishim nëntë ndeshje pa u mposhtur ndaj tij. Me
gjithë respektin maksimal si ekip i mirë dhe kampion aktual, ka ardhur koha që ne tani ta mposhtim dhe ta vazhdojmë rrugën drejt kreut të tabelës”, ka thënë Bekaj për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas.
Gazeta ka provuar të marrë prononcim edhe nga futbollistët e Feronikelit për ndeshjen ndaj Prishtinës, por ata nuk kanë qenë të gatshëm të flasin, për faktin se klubi ka marrë vendim që ata mos të deklarohen për media nëpërmjet telefonit apo postës elektronike. Prishtina aktualisht pozicionohet në vendin e katërt me 24 pikë, kurse Feronikeli është në vendin e gjashtë me 19 pikë. Sot në Skenderaj takohen Drenica-Trepça ’89, kurse në Gjilan takohen Drita-Dukagjini.
/Veton ZYMBERI/