
Dy derbi në Superligë
Dy ndeshje derbi do të zhvillohen në xhiron e 23-të të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo xhiro fillon nesër (e premte) me ndeshjen mes Ferizajt dhe Suharekës, e cila fillon nga ora 14:00. Ferizaj pësoi humbje në ndeshjen e fundit dhe tash synon t’i kthehet rezultateve pozitive, derisa synim të njëjtë ka edhe Suhareka që ka pësuar humbje në tri ndeshjet fundit në elitë, raporton “Epoka e re”.
Të shtunën zhvillohen dy ndeshjet derbi ku vëmendja do të jetë në ndeshjen mes Ballkanit dhe Prishtinës. Në xhiron e fundit, Ballkani u befasua nga Malisheva dhe tash pret fitore ndaj kryeqytetasve në mënyrë që mos të lejojë të shtohet diferenca e pikëve me skuadrën lidere, Dritën. Prishtina synon të marrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje dhe të vazhdojë ngritjen në tabelë. Duhet cekur se prishtinasit nuk dinë për fitore qe shtatë ndeshje dhe kjo ka bërë që të përfundojnë në vendin e pestë në tabelë.
Ndeshje shumë interesante do të jetë edhe ajo që zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, mes Llapit dhe Dritës. Pas dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit, skuadra e Tahir Batatinës kërkon tri pikët ndaj kryesuesve të elitës, derisa gjilanasit do vijën të motivuar për fitore në mënyrë që të ruajnë epërsinë e pikëve me skuadrat përcjellëse.
Të dielën, Gjilani e pret Feronikelin ’74, derisa në ndeshjen tjetër forcat do t’i matin Dukagjini i Klinës dhe Malisheva. Malishevasit synojnë pikët e plota, pasi mund të inkuadrohen në garën për titullin me ndonjë dështim të Dritës. Pritshmëri të mëdha kanë edhe djelmoshat që drejtohen nga Ismet Munishi pasi me tri pikë do të largohen nga pjesa e poshtme e tabelës.
SUPERLIGA
Të premten takohen:
Ferizaj – Suhareka
Të shtunën takohen:
Ballkani – Prishtina
Llapi – Drita
Të dielën takohen:
Gjilani – Feronikeli ’74
Dukagjini – Malisheva
/Epoka e re/