Dy ditë në Irlandë

16 shtator 2024 | 09:39

Dibran Demaku

Irlandën doja ta vizitoja edhe kohë më parë, por ofertat turistike pothuajse çdoherë ishin me çmime të larta. Për këtë arsye vizita më shtyhej për kohë tjetër. Nganjëherë në jetë ngjan ajo që s’e ke pritur as ëndërruar. Dëshira të plotësohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nuk kishte kaluar asnjë javë e tërë kur isha kthyer nga një rrugëtim shtatëditor nëpër vendet që lagen nga Deti Baltik (Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda, Suedia dhe Danimarka, kur im bir më propozoi ta shoqë­roja në një rrugëtim katërditor në Irlandë).

Për Irlandën si shtet dhe si popull kisha lexuar më parë dhe në njëfarë mënyre kujtoja se e njihja këtë shtet edhe pa e parë dhe prekur.

Im bir punon në një kompani gjermane që merret me ndërtimin e autoveturave të posaçme (thuhet se është më e madhja në Evropë) për bartjen dhe servisimin e mishit të freskët. Ato autovetura kanë gjetur përdorim të gjerë sot në Evropë dhe më gjer.

Meqë im bir kishte kontraktuar shitjen e një autoveture të tillë me një pronar mishi irlandez, me të cilin kishin bërë marrëveshje që autoveturën e porositur t’ia dërgonte në vendbanimin e tij që ishte vetëm pak kilometra larg kryeqytetit – Dublinit, u nisëm në udhëtim në datën e caktuar.

Udhëtimi me atë autoveturë drejt Irlandës zgjati një natë e një ditë. Kaluam nga Gjermania në Holandë, pastaj nëpër Belgjikë dhe Francë. Arritëm në portin francez, prej nga me traget (anije luksoze angleze) udhëtuam mbi katërmbëdhjetë orë nëpër detin e gjerë në mes të Francës dhe Irlandës.

Rrugëtimi me anije ishte një përjetim i veçantë.

Anija angleze (thuajse si anija e filmit “Titanik”) në bordin e saj i kishte të gjitha.

Pas një rrugëtimi mbi katërmbëdhjetë orësh (shumicën e kohës e kaluam në gjumë) në mëngjesin e hershëm të ditës tjetër zbritëm në portin irlandez.

Doganierët irlandezë (përndryshe shumë të sjellshëm, mbase si askund në botë!) po i kryenin detyrat e tyre. Unë dhe im bir po flisnim se si do ta kalonim rrugëtimin nga porti deri në destinacion pasi që, siç dihet, edhe në Irlandë komunikacioni zhvillohet në anën e majtë, që ne nuk e kishim provuar asnjëherë.

Sa ishim thelluar në bisedë (dhe në hallin tonë), një nga doganierët e portit kërkoi nga im bir të zbriste nga kabina e makinës dhe ta hapte (trupin gjigant të saj) që të shihte çfarë kishte brenda. Me mua nuk merrej askush, meqë nuk e dija pothuajse asnjë fjalë angleze.

Im bir zbriti që t’i tregonte doganierit irlandez çfarë kishte në barkun e saj makina. Doganieri irlandez ishte mrekulluar nga ajo që kishte parë dhe pa një pa dy i kërkoi tim biri që, kur të kthehej në Gjermani, t’u thoshte autoriteteve të fabrikës ta ndërtonin edhe një makinë të tillë për doganierin.

Në kilometrat e parë në tokën irlandeze makinën do ta drejtonte im bir, më tutje unë. Ishte një ndjenjë krejt e veçantë ta drejtoje makinën në anë të majtë të rrugës. Gjithçka shkoi në rregull deri në një rreth komunikacioni, kur krejt papritmas po drejtohesha që të vazhdoja në të djathtë. Po sikur im bir mos të reagonte shpejt, do t’i shkelja rregullat e komunikacionit irlandez.

Meqë pothuajse tërë rrugëtimin deri në vendin e caktuar e bëmë nëpër rrugë magjistrale, u kënaqëm me bukuritë natyrore të Irlandës. Një vend shumë i bukur, me fusha shumë dhe me male jo shumë të larta. Në fusha, ara e male vërehej dora e njeriut, që vendin e kishte shndërruar në mrekulli. Përveç që irlandezët ishin njerëz të urtë dhe të kulturuar, ishin shumë mikpritës. Në familjen ku e dërguam autoveturën e porositur, jo vetëm që na pritën me miqësi të vërtetë, me të gjitha të mirat, por na ofruan që natën ta kalonim në hotelin e tyre privat që e kishin ngjitur me shtëpinë (shtëpitë). Mbase nuk do të na linin ta kalonim natën në Dublin, në hotelin që im bir e kishte rezervuar sa ishte në Gjermani, po mos ta shihnin rezer­vimin.

Në atë pasdite të dy qershorit njëra nga vajzat e familjes me makinën e saj na ofroi në stacionin më të afërm të trenit me të cilin shkuam në Dublin. Dublini (kryeqyteti irlandez), me një popullsi më shumë se gjysmë milioni banorë, ishte, si të thuash, një prej qyteteve më të bukura evropiane me karakteristika të veçanta.

Jo larg stacionit të trenit në Dublin ishte godina e hotelit ku do ta kalonim natën. Pas vendosjes në hotel dhe një pushimi të shkurtër, dolëm rrugëve dhe rrugicave të Dub­linit që ta shihnim me sy e ta shkelnim me këmbë.

Dublini, një qytet-kryeqytet me një lumë të gjerë në mes. Qytet i bukur dhe i qetë ashtu si njerëzit e tij. Nga të kalosh ata të buzëqeshin dhe të përshëndesin edhe ty që nuk të njohin dhe nuk të kanë parë asnjëherë. Dhe po pate diçka nevojë për ndihmën e tyre, ata janë në gjendje të të ndihmojnë edhe kur ti nuk e di asnjë fjalë të gjuhës së tyre irlandeze apo angleze. Qyteti është i mahnitshëm dhe me një pastërti të mrekullueshme. Arkitektura e godi­nave të vjetra është inkorporuar me të renë dhe qytetit i jep një pamje artistike.

Kisha lexuar shkrime të ndryshme për Irlandën dhe irlandezët. Në ato shkrime thuhej se mentaliteti irlandez ngjante shumë me mentalitetin shqiptar. Dy ditë sa qën­drova në këtë vend s’do të thosha se ne shqiptarët ngjajmë shumë në mentalitet me irlandezët, përveç mikpritjes që pothuajse ishte e njëjtë me tonën.

Në anën tjetër mund të them se nëpër histori mund të kemi pasur fatin apo fatkeqësinë e përbashkët. Kemi jetuar gjatë nën sundimin e pushtuesve, me një ndryshim të madh: irlandezët kanë jetuar nën pushtues progresivë, ne shqiptarët nën pushtues primitivë.

Irlanda dhe irlandezët, duke jetuar nën pushtues progre­sivë, janë zhvilluar normalisht, ndërkaq ne shqiptarët, duke jetuar nën pushtues primitivë, nuk jemi zhvilluar normalisht.

Tragjikja që e lidh popullin shqiptar me atë irlandez është shpërngulja e popullatës. Të dy popujt sot për sot më shumë jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike.

Në Irlandë sot jetojnë vetëm pesë milionë irlandezë, ndërkaq pjesa prej dyzet milionësh jeton e shpërndarë në të gjitha kontinentet, ashtu si ne shqiptarët. Dallimi i madh në mes të Irlandës dhe Kosovës është se irlandezët e punojnë çdo cep të tokës, ndërkaq ne shqiptarët punët rreth tokës i kemi harruar.

Në mëngjesin e hershëm të ditës së tretë na priste avioni në aeroportin e Dublinit në relacionin Dublin – Hamburg.

Irlandë, 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për muaj të tërë u është…