Dy ditë në Londër
Dibran Demaku
Emrin e Londrës e kisha dëgjuar që në fëmijëri. Në oda dhe kulla të Drenicës, aty ku mblidheshin dhe kuvendonin burrat. Aty ku mblidheshin dhe kuvendonin pleqtë. Aty ku organizoheshin dasma. Në ato dasma vinin këngëtarë të njohur popullorë dhe këndonin. Këndonin për trima dhe për të bëmat e tyre. Vinin në oda dhe kulla të Drenicës këngëtarët e njohur Salih dhe Feriz Krasniqi, Sefë Mleqani me të bijtë e të tjerë, këndonin këngë e ne rriteshim me këngët e tyre. Nuk e di se përse vetëm njëra nga këngët e tyre më kishte lënë përshtypje më të madhe. Ajo këngë bënte fjalë për një trim që emrin e kishte Isa, mbiemrin Boletini. Në këngën e tyre thuhej se Boletini ishte trim i madh. Ai së bashku me një trim tjetër, që e kishte emrin Ismail, dhe me disa trima kishin shkuar në Londër. Se përse kishin shkuar mendja ime fëmijërore nuk mund ta përcaktonte dot, por se një nga ata ishte më trim se tjetri, këtë arrija ta kuptoja. Ai ishte më trimi sepse me vete bartte dy kobure dhe me ato dy kobure kishte shkuar në Londër. Atje i kishin thënë t’i dorëzonte armët. Njërën kobure e kishte dorëzuar, tjetrën e kishte mbajtur fshehur. Kur këngëtarët e mbaronin së kënduari këngën, të gjithë ata që e dëgjonin, njëzëri thoshin: Trim i madh ka qenë Isa!
Më vonë në shkollë mësova më shumë për Boletinin, Ismail Qemalin e për trimat e tjerë që në Londër kishin shkuar për halle të atdheut. Ata kishin shkuar atje që ta mbronin atdheun me emrin Shqipëri. Në librat shkollorë kam mësuar se Londra kishte marrë vendim që shqiptarët si komb duhej ta kishin shtetin e tyre. Kam mësuar se Londra kishte lënë jashtë kufijve të atdheut të shqiptarëve më shumë se gjysmën e tokave të tyre. Kishte lënë jashtë Shqipërisë Kosovën dhe vise të tjera etnike shqiptare. Dhe, të them të drejtën, nuk di se si, por herë-herë e urreja emrin Londër. Në librat e historisë herë shkruhej me tone të ashpra e herë me tone më të buta për Londrën dhe konferencën që ishte mbajtur në të. Ndonjë nga mësuesit tanë të historisë me zë të ulët na tregonte se pa marrë parasysh çfarë shkruhej në libra, nuk ishte fajtore Londra për mbetjen e tokave shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, por dikush krejt tjetër. Kur ne e pyesnim mësuesin tonë të historisë të na tregonte fajtorin, ai shtonte: Fajtori ishte interesi gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Dhe kaq.
Emri Londër, herë i urryer e herë i dashur, mbeti në kujtesën time deri në luftën e fundit çlirimtare të Kosovës. Në ato ditë të vështira, por edhe krenare për Kosovën dhe kombin shqiptar, kontributi i Londrës për lirinë e Kosovës ishte vendimtar. Londra me politikanët e vet fliste se lufta në Kosovë do t’i përmirësonte gabimet historike të së kaluarës në raport me kombin shqiptar. Me një fjalë, kontributi i Londrës dhe i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Toni Bler, për lirinë e Kosovës, ishte vendimtar. Kështu, Londra, kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar, hyn në historinë e kombit shqiptar si kryeqyteti dhe shteti më i merituar për lirinë dhe pavarësinë tonë. Për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto po i mendoja në mëngjesin e tre majit të motit të kaluar, kur anija me të cilën po lundroja drejt Londrës po i afrohej bregdetit shkëmbor të tokës angleze. Kishim udhëtuar pothuajse tërë natën e dy majit nga Gjermania nëpër tokën belge dhe në anije ishim vendosur në bregdetin francez. Edhe pak momente e ne do t’i bënim hapat e parë në tokën angleze me synimin kryesor kryeqytetin a saj – Londrën. Anija po i lëshonte spirancat, ndërkaq turistë në aparatet e tyre fotografike po fusnin fotot e para me pamje nga toka angleze.
Ime shoqe, që nga udhëtimet e tilla dëshiron të marrim sa më shumë fotografi, pasi më preku lehtë në trup, më tha: Mos e li pa e fotografuar atë kala të bukur atje lart. Kishte shtrirë dorën drejt kalasë që me tërë madhështinë e vet sikur po na uronte mirëseardhje në tokën angleze.
Pas udhëtimit rreth dy orë me autobus nëpër tokën angleze, po i afrohemi Londrës. Qyteti i ndërtuar mbi brigjet e lumit Temëz(a) po lahej me rrezet e argjendta të diellit pranveror të tre majit. Shumëkatëshet e qytetit sikur na përshëndesin me mirëseardhje. Arkitektura e mahnitshme e qytetit thuajse të merr me vete që në çastet e para. Autobusi ynë lëviz ngadalë, ndërkaq shoqëruesja gjermane mundohet të na japë shpjegime thuajse për secilin pallat, për secilën ndërtesë. Thuajse secila nga ato shumëkatëshe të bukura dhe madhështore mbi brigjet e Temëzs kishte një histori të vetën. Ne të gjithë sy e vesh e dëgjonim shoqëruesen, ndërkaq me fotoaparatet tona fiksonim çdo detaj. Kur autobusi ynë kaloi afër godinës madhështore të parlamentit anglez dhe Big-Benit të njohur të Londrës, seç më erdhën në mendje Ismail Qemali, Isa Boletini dhe trimat e tjerë shqiptarë që kishin qëndruar në Londër njëqind vjet më parë. Derisa po e vështroja ndërtesën e parlamentit anglez, me mendjen time po mundohesha të përcaktoja se nga cila derë kanë hyrë atëherë ata trima. Athua do të jenë ngjitur nëpër ato shkallë?! – e pyesja veten.
Në këngën popullore thuhet: “Kur po kalonin nga Ministria, po i ndalonte policia!” Athua ndodhej atëherë ajo ministri pikërisht këtu dhe në këtë ndërtesë? Apo diku në një vend dhe në një ndërtesë tjetër? Dhe kënga vazhdon: “Shumë po pyesin gazetarë, shumë syreta (fotografi) i kanë marrë”. Në cilën ndërtesë, në cilin pallat i kishte pritur Lordi Grei? “Ministrit në Londër shkuen e i thanë: Isa Boletini vetë ka ardhë, mban xhubleta dhe kapuq të bardhë”… “Do ta pres si është zakoni, por ma parë të ma kontrolloni. Ju gjeneralë të ma shoqëroni”. Ku e kanë takuar gjeneralët anglezë Isën?! Në cilën rrugë të Londrës?! Në cilin vend? “Më kanë thanë se je trim mali, askurkush armët s’t’i ndali, veç në Evropë unë jam i pari” – do të krenohej Lordi. “Nuk kam ardhë këtu mor zotni, në pallat të Londrës me u vra me ty, veç me të thanë se ka Shqipni!” do t’i përgjigjej Isa.
Koha kishte ikur shpejt. Edhe pse kishim lëvizur me autobus rreth dy orë, mua më dukej se kishim ardhur vetëm para dhjetë minutash.
– I fotografove të gjitha! – më tha ime shoqe.
– Ç’të fotografoja?! – ia ktheva unë si të zgjohesha nga gjumi.
– Ha, ha, ha – u qesh ajo. Ç’them dhe unë? Dhe vazhdoi: – Ti si duket paske fjetur gjatë tërë kohës.
– Më fal, të lutem! – ia ktheva sime shoqeje. Më rrëmbeu i tërë pallati i parlamentit anglez dhe po mendoj se nga cila anë kanë hyrë në të para njëqind vjetësh Ismail Qemali, Isa Boletini dhe trimat e tjerë shqiptarë. I humbur pas kujtimit të tyre, nuk kam arritur të bëj asnjë fotografi.
– Ha, ha, ha! – u dëgjua sërish zëri gurgullues i sime shoqeje. – Nuk kemi ardhur këtu që të mësojmë se nga kanë kaluar para njëqind vjetësh Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Kemi ardhur ta shohim dhe të prekim këtë qytet të bukur dhe madhështor. Ndërkaq ti në vend se të bësh ndonjë fotografi, ëndërron të kaluarën.
Derisa ime shoqe dhe unë po debatonim, autobusi u ndal. Shoferi i tij u ngre në këmbë dhe po priste derisa të dilnim ne e ai të gjente ndonjë vendparkim. Zbritëm një pas një. Kishim pak minuta në dispozicion që ta shihnim dhe preknim qytetin e bukur në brigjet e Temzës. E sa shpejt ikën ato minuta. Por, ne pamë dhe prekëm parlamentin anglez, Big-Benin, pallatin mbretëror dhe nga larg urën-kala – simbolin e Londrës.
Në mbrëmje sërish në qendër. Sërish mbi Temzë dhe mbi brigjet e saj. Sërish para parlamenti anglez, sërish pranë Big-Benit, sërish pranë pallatit mbretëror, sërish nën rrotën rrotulluese gjigante, sërish tek dhe mbi urën-kala, por tash nën dritat e reflektorëve shumëngjyrësh.
Kishte ikur nata e parë në Londër. Kishte aguar dita e shtunë e katër majit dhe, për fat, edhe ajo me plot rreze të diellit pranveror. Pas ngrënies së mëngjesit, sërish në autobus dhe vizita në pjesë të tjera të qytetit të Londrës. Të qytetit tetëmilionësh. Së pari në Londrën e re, pastaj në atë muzeale. Në Grindviç… Pallate dhe ndërtesa madhështore, të ndërtuara kur e kur, por edhe tash me arkitekturën moderne. Rreth mesditës jemi që të gjithë në anije. Dëshirojmë të lundrojmë nëpër Temzë dhe që nga aty ta vështrojmë qytetin madhështor. Në anije i kalojmë dy orë të paharrueshme. Shoqëruesja flet e flet. Ne e dëgjojmë dhe ëndërrojmë. Askush nga ne nuk e kemi përjetuar parajsën, por të gjithë me një zë themi se i kemi kaluar dy orë të jetës sonë në parajsë.
Pasditen e kemi përpara. Tash jemi të lirë dhe mund të shkojmë nga të duam. Pikëtakimi i serishëm te rrota gjigante lëvizëse. Secili niset në drejtim të vetin. Unë dhe ime shoqe marrim drejtimin tonë. Ime bijë, që kishte qenë në Londër më herët, më kishte porositur: – Mos e lësho rastin e të mos ngjitesh në rrotën gjigante – lëvizëse. Nga lartësitë e saj mund ta shohësh thuajse tërë Londrën. Porosia e saj duhej të plotësohej. I presim biletat dhe hymë në një nga kabinat. Përveç nesh, këtu ka edhe turistë të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Rrota gjigante lëvizëse është konstruktuar në atë mënyrë që sa gjendesh në të të krijohet përshtypja se ajo nuk lëviz fare. Me këtë përshtypje vetëm kur e sheh veten në një lartësi nga e cila shihet thuajse e tërë Londra. Ti je lart dhe Londra nën këmbët e tua. Të krijohet përshtypja se në të vërtetë e gjitha është një ëndërr. Një ëndërr e bukur dhe e paharrueshme.
Orët e mbetura deri te pikëtakimi i kthimit janë shumë pak. Në ato orë të mbetura domosdo që do të lëvizësh që edhe njëherë të vizitosh, t’i prekësh të gjitha ato mrekulli të Londrës që në vite e shekuj i ka ndërtuar mendja dhe dora njerëzore. Përveç kësaj, do të shijosh edhe ndonjë ushqim dhe pije tradicionale të vendit. Kur u kthyem te pikëtakimi kishin kaluar gjashtë orët e parapara e ne ishim të lodhur, por të lumtur që kishim parë, përjetuar e prekur zemrën e qytetit të bukur të Londrës. Në vendin dhe në orën e caktuar morëm rrugën e kthimit me një vendim: Kjo nuk do të jetë vizita jonë e fundit në Londër.
Londër, 2010