Dy duele të forta në Superligën e meshkujve
Në këtë fundjavë zhvillohen ndeshjet e radhës në Superligën e Kosovës në basketboll për meshkuj dhe femra. Drita – Trepça është përballja që zhvillohet sonte, kurse nesër përballen Bashkimi – Sigal Prishtina. Në elitën e femrave sot zhvillon dy ndeshje.
Në fundjavë do të zhvillohen dy ndeshje të javës së 17-të në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll, kurse rezultatet e dy ndeshjeve të tjera do të barten nga Liga Unike. Të shtunën, Trepça, pas dy humbjeve në stinorin pranveror, do të përballet me Dritën, që ka 16 humbje në 16 ndeshje të zhvilluara, kurse mitrovicasit kanë dhjetë fitore dhe gjashtë humbje, duke u renditur në vendin e tretë në tabelë.
Të dielën do të zhvillohet duel më interesant ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës. Të dyja skuadrat kanë nga tetë fitore dhe tetë humbje, andaj pritet një përballje e barabartë në mes të skuadrave me traditë në basketbollin e Kosovës. Peja – Rahoveci dhe Prizreni 16 – Golden Eagle Ylli nuk do të luajnë këtë fundjavë dhe rezultatet do të barten nga Liga Unike. Në xhiron e 12-të në Superligën e Femrave skuadrat favorite presin fitore, të paktën janë favorite në letër.
Të shtunën kampionia e Kosovës, Penza, do të ndeshet me Vëllaznimin e Gjakovës. Vashat pejane kanë nëntë fitore dhe dy humbje, ndërsa ato kuqezi tri fitore dhe tetë humbje. Liderja aktuale, Prishtina, që numëron 11 fitore në 11 përballje të zhvilluara, do të sfidohet nga Trepça. Skuadra mitrovicase ka tri fitore dhe tetë humbje.
SUPERLIGA – Java 17
Të shtunën takohen:
19:00 Drita – Trepça
Të dielën takohen:
17:00 Bashkimi – Sigal Prishtina
Peja – Rahoveci (Rezultati nga Liga Unike)
Prizreni 16 – Golden Eagle Ylli (Rezultati nga Liga Unike)
Superliga e Femrave – Java 12
Të shtunën takohen:
14:00 Penza – Vëllaznimi
14:00 Prishtina – Trepça
/Epoka e re/