Dy emra, një ideal i bashkoi deri në flijimin biblik
Izmi Zeka
Ishte mbrëmje e 11 janarit të vitit 1984, kur Kosova më shumë se kurrë përballej me ekzistencën e saj. Dy figura që tani i përkasin historisë Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dy ideologët dhe vazhduesit e denjë të rrugës së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës u përballën me forcat policore të shtetit barbar Serb.
Atë natë të 11 janarit krismat nuk kishin të ndalur.
Dy emra që i dhanë kuptimësinë luftës për çlirim kombëtar dhe frymëzues të gjeneratave të ardhshme deri te formimi i ushtrisë së lavdishme çlirimtare të Kosovës. Ata ishin dy në luftë kundër okupimit klasik serb dhe jo vetëm kaq por ideja e tyre ishte përtej kohës dhe rezonit që mbretëronte aso kohe.
Rexha e Nuhiu sikur Vojo Kushi në Tiranë e Perlat Rexhepi në Shkodër thyen mitin e një shteti të huaj e barbar siç ishte Serbia.
Aty u luftua deri në mëngjesin e 12 janarit dhe trimat s’u dorëzuan dot. Mëngjesi i kësaj dite i gjen dy vigajt të kthyer në histori, në jetë dhe në liri. Ata bënë çka nuk bëhet dhe nuk arrihet. Ata kthyen dinjitetin dhe i dhanë frymë luftës për çlirim kombëtar.
Andaj, ata ishin dy në një apo një në dy emra. Kjo është historia dhe vet jeta e tyre.