Dy fëmijë nga Kosova humbin jetën në Francë
Dy fëmijë nga Kosova, vëlla e motër, kanë humbur jetën pasi kanë rënë në një lum në komunën Montbrison, Loire të Francës.
Dy fëmijët kanë qenë duke luajtur bashkë me nënën e tyre përreth lumit Le Moingt, kur vëllai 2 vjeç, ka rënë në ujë, motra e tij më e madhe 5 vjeç ka kërcyer për ta nxjerrë atë nga uji, por pa sukses
Nëna 35-vjeçare me prejardhje nga Kosova kishte deklaruar se fillimisht në ujë kishte rënë djali, e më pas motra e tij ka kërcyer për ta nxjerrë atë nga uji, por është tërhequr nga rrjedha e lumit. Pastaj ka kërcyer në ujë edhe nëna, që ia ka dalë t’i kapë ata, por pa qenë në gjendje që t’i rikthejë në jetë, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.
Gruaja kishte kërkuar nga njerëzit përreth që t’i lajmërojnë shërbimet emergjente. Ndonëse arritën në vend të ngjarjes, shërbimet emergjente s’mundën të bënin asgjë, kanë thënë burime nga xhandarmëria për AFP-në.
Zyra e prokurorit në Saint-Etienne ka hapur një hetim, dhe ka urdhëruar që t’u bëhet autopsia trupave të pajetë.