Dy fjalë për ish-të burgosurin politik, deputetin Isak Shabani

11 nëntor 2021 | 16:53

Shkruan: Sadik Zeqiri

Ish-i burgosuri politik Isak Shabani, lindur më 1964 në Orllan të Podujevës, ka qenë bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit. Për fatin e keq të tij, në fillim të vitit 1997 arrestohet me shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë.

Shabani në atë kohë akuzohej për terrorizëm dhe, mbi bazën e kësaj akuze, ishte dënuar me 10 vjet burgim. Si shumë të burgosur të tjerë, edhe Isak Shabani, të cilin gjatë kohës së luftës dhe pas saj e thërrisnim “Caka”, kishte fatin e keq të përjetonte tmerre në burgje dhe të qëndronte sa në një burg të Kosovës, sa në një të Serbisë. “Caka” ishte përjetues edhe i masakrës në burgun e Dubravës, e cila pati ndodhur më 19-24 maj 1999. Pas qëndrimit për më shumë se katër vjet në burgjet serbe, “Caka” bashkë me shumë të burgosur lirohet nga burgu dhe vazhdon jetën dhe veprimtarinë në Kosovë. Isak Shabani fillon punën në Ministrinë e Shëndetësisë në departamente të ndryshme. Ministria e vlerëson seriozitetin e “Cakës” dhe e emëron në pozita të rëndësishme brenda institucionit. Shabani për një kohë të gjatë ka qenë shef i Divizionit për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore, ndërsa kohën e fundit ka kryer detyrën e zëvendësuesit të drejtorit të Departamentit për Zhvillim Strategjik Shëndetësor.

Në fillim të vitit 2020, në muajin janar, “Caka” merr një ofertë nga Partia Demokratike e Kosovës që të futet në listën e kësaj partie për deputet të Kuvendit të Kosovës. Para se ta pranojë këtë ofertë, Isaku fillon konsultimet me shokë dhe me familjarë, ndërkohë takon edhe ish-shokët e burgut për t’u konsultuar me ta. Për këtë rast konsultohet me Hajredin Hysenin, Nait Hasanin, Bajrush Xhemajlin, Bislim Zogajn, Ismet Mahmutin, Xhelal Canzibën, Defrim Rifajn, Xhevat Podvoricën, Musa Gashin, Sadik Zeqirin, Naim Lushin, Avni Shalën, Blerim Camajn e shumë e shumë të burgosur të tjerë. Me cilindo që takohej me këta, i pyeste: A ia vlen të kandidoj për deputet dhe a jam i duhur për ta përfaqësuar shtresën e njerëzve të vuajtur në Kuvendin e Kosovës, nëse e marr besimin tuaj?

Të gjithë njëzëri i dhamë besimin dhe mbështetjen, si dhe i kërkuam të jetë pjesë e kandidatëve për deputetë. Për dy arsye, se Isak Shabani e meritonte mbështetjen; së dyti, se Partia Demokratike e Kosovës kishte marrë goditje të rëndë pas arrestimit të liderit historik, ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Pas hartimit të listës për deputetë, PDK-ja Isak Shabanin e rendit në numrin 34. I vendosur, matshëm dhe qetë dhe bindshëm, nis fushatën për besimin që duhej t’i jepej. Takohet me shumëkënd dhe u jep arsye shumëkujt pse duhet ta votonin PDK-në dhe atë. E nis këtë betejë, të mbledhjes së votave dhe të shpërndarjes së besimit në Llap, pastaj e vazhdon në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Prizren, Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Pejë, Drenicë, Mitrovicë, Obiliq, Klinë etj. Pas shpalljes së rezultatit nga KQZ-ja për kandidatët për deputetë, “Caka” merr besimin e 8 729 votuesve, të cilat nuk i pati të mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Megjithatë, mbetet personi i tretë në radhë për t’u bërë pjesë e Kuvendit. Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, dy deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kandidatë për kryetar të komunave, zgjedhen kryetarë komunash dhe heqin dorë nga ulësja e deputetit. Pas largimit të tyre nga lista, i lëshohet radha ish-të burgosurit politik, shokut tonë Isak Shabanit, i cili bëhet deputet i legjislaturës së 8 të Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rekomanduar që kandidati për deputet, Isak Shabani, ta zëvendësojë ish-deputetin Fadil Nura në Kuvendin e Kosovës, i cili është zgjedhur kryetar i komunës së Skenderajt.

Në emër të tij, të shokëve tanë, të të gjithë bashkëluftëtarëve dhe bashkëvuajtësve tanë, të gjithë atyre votuesve që e kanë votuar Isak Shabanin, u jemi shumë mirënjohës dhe u shprehim falënderime që i besuan bashkëluftëtarit të Zahir Pajazitit, i cili, ashtu sikurse na ka siguruar para zgjedhjeve, zëmë besë se do të na përfaqësojë më mirë se shumë të tjerë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Drenicës po regjistron rezultate pozitive në këtë edicion…