Dy fjalë për librin e Palit
Adem Gashi
Duke lexuar dorëshkrimin e vëllimit poetik “Pikëllimi i bimëve” të Pal Ndrecajt përjetova një ngasje, nga ato të rrallat, dhe një tundim nga më të fortit: Do t’ia dal, vallë, të them gjë për të qenë në kuptimin akseologjik për kuotën e vlerave estetike të tij. Do t’ia dal, vallë, ta shpall si duhet dendësinë e mbresës dhe kënaqësinë e përjetimit? Para se ta nënshkruaj dështimin marr guximin të mbështetem vetëm te kjo e fundit, te kënaqësia e përjetimit.
Përqasja e autorit me botën e shpendërisë, që në nismë të librit, ma zbulon një ornitolog të mprehtë që lexon shikim zogjsh e kompozon cicërimat e tyre sipas një poetike krejtësisht të mëvetësishme. Vazhdon tutje me peizazhin e vendlindjes (ç’penelata nuancash pikturale!) e kridhet gjëmshëm në një botë baladash (Pal, a të qajmë së bashku, me ligje?).
Po kjo Moglica e jote na doli, jo sa për të bërë një krahasim, por prej vërteti, një Makondë markeziane ose, më saktë, vendlindja ime, jotja, e tjetrit në këtë botë shqiptare. (Pal, përse ma “vodhe” vendlindjen time?).
Që t’i bie shkurt, për në fund, po kërkoja një formulë të zëshme të thosha, ta shqiptoja atë mbushullimë impresionesh e mbresash nga ky lexim. Dhe sa s’bërtita “Eureka” kur m’u kujtua sintagma e doktorantit të Harvardit, Daniel Goleman, formuluar që me të hyrë të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar: “Inteligjenca emocionale”. Nuk gjej kund më të përmbushur këtë formulë sesa në vargjet e këtij libri të Pal Ndrecajt.