Dy fjalë si parashtesë, rrokull librit “Andrra në beze”
Stefan Çapaliku
Me Agron Shalën jemi njohë në verën e vitit 2013. Punonim dramën “Fausti prej Tirane” dhe Alfred Trebicka më tha se e mira do ishte të kishim një kolonë zanore origjinale dhe jo ashtu të kopjueme e të sajueme prej autorësh të ndryshëm e shpesh pa lidhje.
Unë njoh një djalë, që e kam takue në Prishtinë e që ban muzikë të mirë. Ka shumë informacion mbi teatrin e mbi të gjitha ka me e kuptue ma së miri temën që po trajtojmë. Këtë përshkrim të shkurtë i bani Agron Shalës, miku ynë i përbashkët dhe Agron Shala u duk një ditë te studioja e provave, bashkë me një tjetër zotni dhe na vuni të dyve, dmth Fredit e mue nga një anë të kufjeve të një paisje të vogël që transmetonte muzikë.
Ai kishte kompozue një shtrat muzikor të mbushun me “zbrastësi”, një diçka përtej e mbatanë fizikes, tinguj që të çonin ndër sfera mbi sfera e që ta akullonin ballin si mbas një komprese të bame kundër temperaturës së naltë.
Fausti ynë, ai prej Tirane, ai prej Prishtine, kishte gjetë te muzika e Agron Shalës zanin e humbun mbas britmave të veta ekzistenciale. Te “Fausti prej Tirane” muzika e Agron Shalës i bante jehonë zhgënjimit të intelektualit shqiptar pas një periudhe të gjatë tranzicioni politik; marrjes fund të shpresave dhe projekteve të tij pas një periudhe 20 vjeçare, që nga dështimi i sistemit komunist. Fausti i tij jo vetëm që nuk gjente ma një motiv të shëndoshë për të jetue, por çka asht ma e keqja ai nuk gjente arësye as për të vdekë si hero. Kështu, kur dëgjoje muzikën e shkrueme nga Agron Shala kuptoje se jo vetëm jeta, por edhe vdekja e tij nuk i shërbente ma askujt. E bash për këtë “arësye” muzika e tij të fuste në një gjendje ku qënia rrinte “as këtu e as atje, as këndej e as andej, as në këtë botë e as mbatanë”.
Kush ishte ky njeri që thirrej me dy emra të shkurtë: një vertikal në histori “Agron” e një tjetër horizontal në gjeografi “Shala”? Çka ishte ky “kryq pagan” i përbamë prej pesë germash që binin picingul mbi pesë germa të shtrime?
Ma vonë u njohëm edhe ma pak me Agron Shalën. Në Vjenë, një vit ma vonë, kur na ftuen për me e dhanë Faustin tonë në një teatër të vogël, në podrumin e një ndërtese neoklasike vjeneze. Teatri, si edhe e gjithë lagjia ku na kishin vendue, kishte një emër të çuditshëm, një farë “Hundsturm”, që në shqip kishte me tingëllue si “Kulla e qenit”. Atje, te sheshi, përballë Art Hotel, te një patalog i vogël, i quejtun Siebenbrunen, i ulun në një kafe të thirrun Maria Rosa, Agron Shala paraqitej edhe ma i heshtun se asnjëherë. Dukej açik se ajo kafe qe vendi i tij dhe se s’ish ulë në karrige të askujt. E kështu prapë, ma vonë e pa e ditë mirë psenë, i humbëm gjurmët e njeni-tjetrit ashtu në heshtje e në largësi. E ndoshta u desh të kalonin edhe nja dy a tre vite të tjerë për me e mësue se muzikanti i preferuem tashma i pjesëve të mia teatrore e fitonte bukën jo si kompozitor, por si gazetar. Kështu e si padashje u bana menjëherë lexues i rregullt i shkrimeve të tij sepse mbi të gjitha më pëlqente mënyra sesi ai të merrte e të merr me vete në narracionin e vet, që i ngjan një rruge me kthesa, gropa dhe zgripe gjithfarësh. Duke e lanë mbas dore për momentin aspektin landuer të shkrimeve të Agron Shalës e duke u fokusue te forma e përcjelljes së kësaj lande, kupton ma së miri se ai i shkon përshtat relievit të përmbajtjes së përcaktueme në krye, duke e thye lineralitetin e rrëfimit me qëllim dhe pa kompromis.
Kështu, udhëtimet gazetareske të Agron Shalës, ashtu si njëqind vjet ma parë të At Gjergj Fishtës, zhvillohen “Rrokull Shqypnis” e “Rrokull botës”, duke na propozue itinerare fantastike në kohë e hapësina të ndryshme. E kështu mundesh me e njoftë këtë personazh misterioz, ashtu të fshehtë dhe përkundrejt përshtypjes së parë, të mbushun me humor spontan e të shënjuem prej rrethanave improvizuese.
Duke dalë prej shtëpie me këtë libër, Agron Shala ka ba bé me u njoftue me të gjithë ne. Ai asht ba gati me na e dhanë dorën dhe me na përcjellë “rrokull botës e rrokull Shqypniës së tij” si një personë njerëzore e intelektuale, që ka vendosë me ba shkuesin, pse jo edhe lajmëtarin kulturor, bash atë rol që i mungon teatrit të jetës shqiptare, që prej gati një shekulli.
Kështu edhe kena me e njoftë ma mirë këtë personë të heshtun e të mbyllun të “mëhallës sonë intelektuale” në pritje edhe të kushedi sesa librave të tjerë që ai po i harton në vetminë e vet.
Kësaj radhe duke u marrë me temen e kinemasë ai asht marrë dashje pa dashje me qytetin, sepse kinemaja dhe qyteti janë historikisht të ndërlidhura. Zhvillimi i kinemasë shoqëron fazat e fundit të urbanizimit dhe industrializimit të qytetit. Në Shqipëri, natyrisht në Shkodër, kinemaja vjen nëpërmjet një arkitekti dhe urbanisti të famshëm, siç ishte Kolë Idromeno, dhe i shtohet qytetit që po rindërtohej pas tërmetit të vitit 1905, tamam si qershia mbi tortë. Me “pa andrra në beze” ka qenë një prej pasioneve më të forta të këtij qyteti deri në atë kohë kur erdhi dhe u përhap ai kashun djallëzor që thirret televizor. Marrëdhënia midis kinemasë dhe qytetit mund të shqyrtohet në mënyra të shumta. Pjesërisht, kinemaja siguron një arkiv ose një bankë kujtese, që pasqyron ndryshimet në peizazhin urban. Në të njëjtën kohë, kinemaja shërben për të prodhue qytetin, si sjellje, si situatë bashkëjetese, si fjalë… Teoricienët e kinemasë na flasin për një urbanizëm të pandamë të kinemasë. Ata thonë me të drejtë se nuk mund të quhet qytet ai që nuk arrin t’i ofrojë rrugët e veta, si hapësina kinematike, ekzemplare dhe esenciale.
Kinemaja prodhon versione të shumëfishta të një qyteti të vetëm dhe tenton të prodhojë një qytet tjetër: ma të mirë, ma të bukur, ma të lirë… Të falem nderës Agron Shala për këtë udhëtim, që as që e çonim ndër mend se do ta banim ndonjë ditë bashkë!