Dy institutet kombëtare të Shëndetit Publike, në Kosovë dhe Shqipëri: Kujdes nga të nxehtit, evitoni daljet në mesditë
Dy institutet kombëtare të Shëndetit Publike, në Kosovë dhe Shqipëri kanë dalë me rekomandime pothuajse të njëjta ndaj qytetarëve për mbrojtje nga të nxehtit dhe dielli, sidomos gjatë mesditës kur temperaturat i afrohen ose edhe kalojnë në disa vende 40 Gradë Ceelsius.
“Temperaturat e larta që po shënohen këtyre ditëve ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjell me ngërçe, vjellje, çrregullime diarre, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet në reagimin e djeshëm të IKSHPK-së.
Sipas IKSHPK-së, personat e moshuar nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00 deri në 17.00, sidomos të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet.
“Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelëta. Po ashtu është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, njofton IKSHPK.
Po ashtu rekomandohet edhe këshilla me mjekun, ndërsa sipas këtij Instituti, nëse te pacienti paraqitet kokëdhembje, mundim, marramendje, dehidrim, tharje të gojës dhe lëkurë, atëherë duhet të lajmërohet mjeku.
Edhe në Shqipëri, ISHP ka lëshuar disa këshilla për qytetarët në këto ditë të nxehta që kanë përfshirë vendin.
Të premten temperatura në disa vende në Shqipëri kanë kaluar 41 gradë Celsius.
“ISHP këshillon të shmanget ekspozimi e drejtpërdrejtë në diell, kur është më i fortë, zakonisht midis orës 11:00 deri 15:00, por edhe më gjatë në varësi të vendit ku jeni. Rekomandohet qëndrimi në hije midis orëve me rrezatim ultraviolet (UV) më intensiv. Po ashtu qytetarët duhet të veshin rroba që mbulojnë krahët dhe këmbët, të përdorin kapele me strehë të gjerë për të mbrojtur fytyrën dhe qafën, si dhe të përdorin syze dielli për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të syve”, rekomandon ISHP.
Ekspertët e ISHP-së, gjithashtu kanë rekomanduar që të mos përdoret krem kundër diellit për të zgjatur ekspozimin në diell në këtë interval.
“Përdorni krem kundër diellit me faktor mbrojtës (SPF) të paktën 30, me filtra UVA dhe UVB. Mund ta përdoreni atë 30 minuta para ekspozimit në diell. Ripërdoreni kremin çdo 2 deri në 3 orë, pa harruar zonat e ndjeshme si buzët dhe veshët.
Këto rekomandimet e mësipërme janë të vlefshme dhe për fëmijët”, rekomandon Instituti Shqiptar i Shëndetit.