Dy javë pas emërimit, jep dorëheqje zëvendësministri i Arsimit
Pas gati dy javësh në detyrë, ka dhënë dorëheqjen zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka.
Dorëheqja i është dorëzuar kryeministrit Edi Rama për dijeni edhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, me motivacionin e pamundësisë për të ndryshuar sistemin arsimor nga brenda.
“Për arsye etike, morale dhe profesionale dhe të papajtueshmërisë që unë kam me modelin e punës të aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, është thënë ndër të tjera në letrën e dorëheqjes së Taulant Mukës.
Taulant Muka ishte emëruar zëvendësministër më 31 tetor me një vendim të Këshillit të Ministrave, pas dorëheqjes së Ervin Demo i cili është akuzuar për plagjiaturë.