Dy kontingjentë me ushtarë nga Shqipëria nisen për në Afganistan

10 dhjetor 2019 | 15:30

Dy kontingjentë me trupa nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë nisur të martën për në Afganistan, ku për rreth gjashtë muaj do të shërbejnë në dy baza të ndryshme në misionin e NATO-s, Resolute Support.

Kontingjenti i parë i përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të dislokohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ndërsa grupi i dytë nga Forcat Speciale do të shërbejë në Bagram.

Për përcjelljen e trupave nga Shqipëria për në mision ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralbrigade Albert Mullai, si dhe familjarë të ushtarakëve.

Zëvendësministri Koçi e ka konsideruar nisjen e trupave në mision si ditë të shënuar për Forcat e Armatosura, duke vënë në dukje pjesëmarrjen e ushtarëve shqiptarë në të gjithë misionet e NATO-s.

“Ne jemi një nga vendet e para në NATO që krahasuar me numrin e ushtarakëve që ka Forca jonë e armatosur kontribuon në misione ndërkombëtare. Këto ditë Shqipëria jeton ditë të vështira. Ne jemi krenarë me punën që kanë bërë FA që nga orët e para të tërmetit të 26 nëntorit. Ne do të vazhdojmë të jemi kudo ku populli ka nevojë, ku halli i qytetarit është i madh, ku rrezikohet jeta e qytetarit aty do të jetë ushtaraku ynë”, ka thënë Koçi.

Ndërsa komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralbrigade Albert Mullai, ka theksuar se ushtarakët e përzgjedhur për t’u dërguar në mision janë me përvojë e të mirëpërgatitur dhe siguroi familjarët e ushtarakëve për mbështetjen e pakursyer që ata do të kenë. /TCh/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me ftesë të Prokurorisë së…