![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/06/58c281436e2004fa0e8b5289.webp)
Dy kryeministra evropianë vizitojnë Kosovën të martën
Të hënën, më 3 dhe të martën, më 4 korrik, kryeministri holandez Mark Rutte do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën së bashku me kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel.
Lajmin e ka bërë me dije sot qeveria holandeze përmes një komunikate për media, raporton Paparaci.
Sipas komunikatës, Rutte dhe Bettel do të diskutojnë me liderët e të dyja vendeve për tensionet në veri të Kosovës.
“Vizita ofron një mundësi për të diskutuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dhe rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe përkushtimit ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e qeverisë holandeze.
Rutte, i shoqëruar nga Bettel, së pari do të shkojë në Serbi të hënën pasdite, për të vazhduar vizitën e tij në Kosovë të martën.
Në Kosovë, dy kryeministrat evropianë do të takohen me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Të martën më 4 korrik, kryeministri Rutte dhe kryeministri Bettel do të jenë në Prishtinë. Ata do të priten këtu nga presidentja Osmani-Sadriu. Kanë një takim edhe me kryeministrin Kurti, ku ndër të tjera diskutojnë për zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”, thuhet në njoftim.