Dy milionë euro më pak të hyra në Postë, 80 për qind e të hyrave shkojnë për paga
Ushtruesja e detyrës së kryshefes ekzekutive të Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka mbajtur konferencë për media, me ç’rast ka thënë se pasqyrat financiare për vitin 2020 janë 14 për qind më pak apo 2 milionë euro më pak të hyra.
Ajo ka thënë se në këtë periudhë kanë punuar me staf esencial për shkak të pandemisë.
“Sa i përket pasqyrave financiare të vitit 2020, sikurse edhe plot ndërmarrje tjera edhe Posta e Kosovës ka operuar me një rezultat financiar minus 14 për qind, ku kemi funksionuar me staf esencial për shkak të pandemisë. Rënie në të hyrave kemi afro 2 milionë euro”, është shprehur ajo.
Më tutje, Kadiu ka thënë se sfidë mbetet edhe alokimi i pagave për punëtorët, pasi sipas saj 80 për qind e të hyrave shkojnë për këtë kategori.
“Ne ballafaqohemi me alokim të pagave për punëtorët, ku në kategorinë e pagave i kemi 80 për qind të të hyrave. Kemi edhe problem me pagesat e operatorëve ekonomikë të cilët na furnizojnë me materiale të domosdoshme të operimit, por kemi edhe pamundësinë e inkasimit universal postar për të cilën gjë jemi duke e diskutuar me ministrinë të linjës, sesi të gjendet zgjidhja për mbulimin e shpenzimeve të cilët nuk janë kompensuar që nga viti 2012”, është shprehur Kadriu.