Dy milionë euro për Luginën e Preshevës, reagon ish-kryetari Arifi
Për 2 milionët e ndarë nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës, ish-kreu i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka deklaruar se ka vite që ka kërkuar që kjo trevë të jetë pjesë e planifikimit buxhetor.
Përmes rrjetit ‘Twitter’, Arifi ka shkruar se kjo u bë pas shumë viteve të anashkaluar.
“Bashkë jemi më të fortë”, thuhet në postimin e tij.
Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar Projektligjin e Buxhetit 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro.
Nga ky buxhet, për herë të parë, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës. Ai ka thënë se synimi është që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç kërkon standardi i NATO-s.