Dy nacionalistët serbë, pozita kyçe në qeverinë e re
Mandatari për kryeministër të Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatës së martës ka propozuar për zëvendës të tij Aleksandar Vulinin, pavarësisht faktit se ky fundit është pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për pozita të rëndësishme janë propozuar Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriq.
I pari do të udhëheq me ministrinë e brendshme ndërsa Marko Gjuriqit do te jetë në krye diplomacisë serbe si ministër i jashtëm.
Publicisti nga Beogradi, Dushan Janjiq, thotë se këto emërime ishin të pritshme dhe sipas tij kjo nuk përbën aspak befasi për opinion publik në Serbi.
“Nuk ka asgjë të re këtu, janë njerëzit e njëjtë kinse në qeverinë e re. Gjithçka është paradoksale me këtë qeveri, ata kërkojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian por jo edhe anëtar të NATO-s. Ata synojnë të bëhen pjesë e bllokut evropian por nuk përafrojnë politikën e jashtme me shtetet perëndimore, duke refuzuar ti vënë sanksione Rusisë. Ne duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian por edhe i pranojmë parat nga Kina, pra siç e thash edhe më herët gjithçka është paradoksale me këtë qeveri”, thotë ai për Tëvë1.
Në anën tjetër gazetari, Nikola Krstiq, thotë se pavarësisht kush emërohet në këto pozita, Aleksandar Vuçiq do të ketë kontroll të plotë mbi ta.
“Pavarësisht se kush vihet ne krye të këtyre pozitave, kontrollin me të madh do ta ketë Aleksandar Vuçiq. Vuçiq i ka mbledhur të gjithë me një vend, pra të majtit të djathtit dhe ata të qendrës janë bërë të gjithë bashkë. Këto çështje nuk i interesojnë Vuçiqit derisa ai vazhdon të ketë fuqi të madhe”, thotë Krstiq.
Tutje, Krstiq e sheh Aleksandar Vulinin si një përbindësh politik dhe se sipas tij ai e përfaqëson një pjesë të errët të historisë së Serbisë.
“Ai është një si një përbindësh politik në shoqërinë tonë. Ai përfaqëson politikën e errët të Serbisë dhe gjithashtu është shumë i lidhur me Rusinë. Seriozisht nuk e di çfarë orientimi do ta ketë kjo qeveri në të ardhmen” , thotë ai
Kujtojmë që gjatë vitit të kaluar, Aleksandar Vulin u fut në listën e zezë nga Thesari i SHBA-së, për përfshirje në afera korruptive për të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.