Dy ndeshjet e Superligës përfundojnë pa fitues
Dy ndeshjet e radhës në Superligën e Kosovës në futboll kanë përfunduar pa fitues.
Dukagjini dhe Suhareka janë ndarë baras 2-2 në një ndeshje spektakolare në kuadër të xhiros së 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, raporton “Epoka e re”.
Në minutën e 24-të, mysafirët kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Mevlan Zeka, i cili më kokë realizoi për 0-1.Vendasit reaguan pas dy minutash duke e barazuar rezultatin në 1-1, me golin e shënuar nga Hekuran Berisha. Nëntë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Suhareka e riktheu epërsinë në 1-2 me golin e shënuar nga Liridon Fetahaj. Suhareka mbeti me 10 futbollistë në fushë, kur në minutën e 68-të Jakup Berisha u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. Vetëm katër minuta më vonë, Dukagjini e barazoi rezultatin në 2-2, sërish shënues ishte Hekuran Berisha. Dukagjini me këtë pikë vazhdojnë të mbesin në pozitën e nëntë me 11 pikë, derisa Suhareka në të tretën me 17 sosh.
Edhe ndeshja tjetër mes Llapit dhe Feronikelit ’74 përfundoi me rezultat 2-2.
“Nikli” ishte afër të shijojë fitoren e parë, por vendasit barazuan në minutat shtesë për të shpëtuar nga humbja.
Në pjesën e parë vendasit luajtën më mirë, por mysafirët shënuan golin e parë në ndeshje. Në minutën e 45-të, Vasilis Karagounis shënoi një gol të bukur për 0-1. Në minutën e 68-të, Hasan Hyseni realizoi për 0-2. Tetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Ardit Tahiri e ngushtoi epërsinë në 1-2, derisa kur të gjithë priten fitoren e mysafirëve në skenë doli Ilir Blakçori, i cili në minutën e shtatë shtesë shënoi për rezultatin përfundimtar 2-2. Pas këtij barazimi, Feronikeli mbetet i fundit me vetëm tri pikë, ndërsa Llapi zë vendin e gjashtë me 15 pikë.