Dy ndryshime në listën e Spanjës
Spanja është bërë gati për dy ndeshjet e para kualifikuese të vlefshme për EURO 2024, por lista e trajnerit De la Fuente pritet të pësojë ndryshime.
Trajneri i emëruar në dhjetorin e vitit të kaluar do të debutojë më 25 mars, në shtëpi përballë Norvegjisë, ndërsa pengesa e parë për të është mungesa e mesfushorit të Barcelonës, Pedri, i cili mungoi edhe në “El Clasico”.
Gjithashtu, De la Fuente nuk do të ketë në dispozicion Gerard Moreno-n, sulmuesin e Villarreal.
Të dy lojtarët do të zëvendësohen dhe tashmë trajneri ka “telefonuar” Yeremi Pino-n, 20-vjeçarin e Villarreal i cili ka luajtur 7 ndeshje me përfaqësuesen dhe ka debutuar në vitin 2021. Ndërsa lojtari i dytë do të jetë sulmuesi i Betis, Borja Iglesias i cili është katërti në listën e golashënuesve në La Liga.
Iglesias ka debutuar vitin e kaluar dhe ka luajtur vetëm një ndeshje, ndërsa tashmë, ndikuar edhe nga fati ka mundësinë për të treguar vlerat e tij, pasi kualifikueset janë në hapat e parë.
Spanja do të luajë më 25 mars në Malaga përballë Norvegjisë, ndërsa tri ditë më vonë do të udhëtojë drejt Skocisë, ndërkohë në Grupin A janë edhe Qipro dhe Gjeorgjia.