Dy njësitet elitare të Policisë: Kryeministër, mos luani me dinjitetin tonë!
Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj propozimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë.
“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive sot jemi mbledhur para qeverisë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë, sidomos për shtesat e parapara me ligj. Këto dy njësi janë të trajnuara dhe të përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare, janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe rastet ku cenohet siguria kombëtare, gjithashtu edhe intervenime ku rrezikshmëria vlerësohet të jetë ekstreme. Prandaj jemi njësi elite të Policisë së Kosovës. Këto dy njësi janë të trajnuar nga akademitë dhe njësitë më prestigjioze në botë”, ka thënë njëri nga përfaqësuesit e këtyre dy njësiteve elitare të Policisë para gazetarëve.
Ai ka thënë se janë të përgatitur dhe të barabarta me njësi elite të botës, e sipas tij, një gjë të tillë e dëshmon pjesëmarrja dhe suksesi në shumë operacione policore e gara ndërkombëtare, duke sjellë edhe medalje për Kosovën.
“Këto dy njësi gjithmonë kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë duke realizuar operacione, sidomos në pjesën më të ndjeshme të vendit duke mbrojtur integritetin dhe sovranitetin shtetëror. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marrë premtime për benifite të cilat na takojnë, por asnjëherë nuk janë realizuar. Fillimisht arsyet e mospërmbushjes së kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të pagave”, ka thënë ai, duke shtuar se ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë.
“Madje shtesa e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra. Ne jemi unikë në kërkesat tona sepse janë kërkesa legjitime dhe të nevojës urgjente. Nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. Ju i nderuar kryeministër i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, me jetën e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator. Kërkojmë që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të pranoni kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe t’i zgjidhim së bashku. Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve. Rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, ka thënë një nga përfaqësuesit e këtyre dy njësiteve elitare të Policisë.