Dy oficerë të FSK-së diplomojnë në kolegjin e ushtrisë amerikane
Dy oficerë të FSK-së kanë diplomuar me sukses të lartë në Kolegjin e Shtabit dhe Komandës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se oficerët e FSK-së, major Vegim Krelani dhe major Jaser Mulla, kanë diplomuar në këtë kolegj.
“Edhe pse ky vit ishte sfidues ku shumica e shkollimit u karakterizua nga mësimi virtual dhe mësimi në distancë, diplomimi me sukses i tyre nënkupton njohuri dhe profesionalizëm shtesë për të ardhmen e FSK-së”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas njoftimit, nënkoloneli Christopher Mackin, shef i edukimit në detaçmentin e 7-të të Kolegjit të vendosur në Evropë, ka vlerësuar lartë të dy oficerët e FSK-së.
“Pjesëmarrja e Kosovës në degën evropiane të Kolegjit të Shtabit dhe Komandës së ShBA-së bazuar në Grafenwoeher, Gjermani është historike. Oficerët e saj ishin pjesë e grupit të parë ndërkombëtar prej katër studentëve të huaj që morën pjesë në këtë shkollim në Evropë. Ushtria amerikane për Evropë dhe Afrikë mirëpret pjesëmarrjen e ardhshme të kosovarëve në këtë shkollë. Ata mund të falënderojnë majorin Mulla dhe majorin Krelani pasi kanë caktuar një standard të lartë të përsosmërisë akademike dhe të pjesëmarrjes së fuqishme aktive në klasë”, ka thënë ai.
Kolegji i Shtabit dhe Komandës i Ushtrisë së SHBA-së është kolegj ushtarak post-diplomik njëvjeçar dhe shkollon oficerë ushtarakë amerikanë dhe të huaj.
Ky shkollim në aspektin e edukimit profesional ushtarak konsiderohet si i domosdoshëm për oficerët e nivelit të mesëm për zhvillim të mëtutjeshëm në karrierë.
Fokusi i shkollimit është në udhëheqje, histori ushtarake, planifikim ushtarak, procese të vendim-marrjes ndërsa rëndësi e veçantë i jepet mendimit kritik.