Dy pacientë në gjendje kritike, katër në gjendje të rëndë
Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë duke u trajtuar 47 pacientë të infektuar me COVID 19. Prej tyre dy persona janë në gjendje kritike për jetën ka thënë infektologu i QKUK-së, Valbon Krasniqi.
Krasniqi ka deklaruar se gjendja shëndetësore e 40 pacientëve është stabile. Por, sipas tij, katër pacientë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, dy të tjerë janë në gjendje kritike. “Ne tashmë jemi në javën e katërt të epidemisë në nivel vendi. Aktualisht i kemi 47 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive të prekur nga COVID 19. Për momentin ne i kemi 250 shtretër që janë në dispozicion për personat e prekur me koronavirus. Dy persona i kemi në kujdesin intensiv në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, pra në gjendje kritike. Kemi 4 pacientë të tjerë që janë të shtrirë në reparte e që gjendjen e kanë të rëndë”, ka deklaruar Krasniqi.
E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë se të hënën janë konfirmuar edhe 20 persona të infektuar me koronavirusin e ri. “Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë të Malishevës, dy (2) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllacë – Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, është thënë në njoftim.
Në Kosovë deri më tash janë konfirmuar 165 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 24 pacientët që janë shëruar. Nga radhët e komunitetit serb janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur. Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi. Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë. /GazetaExpress/