Dy pakuptimësi
Shkruan: Daut Dauti
Çdo shenjë respekti para varreve të ushtarëve serbë është ndër gjestet më të pakuptimta dhe më të shëmtuara që mund të bëjë një shqiptar.
Kjo pakuptimësi rritet edhe më shumë kur bëhet nga forcat ushtarake, siç ishte rasti me FSK-në. Nuk duhet ta fajësojmë FSK-në, për shkak se ajo ende nuk është ushtri e mirëfilltë. Por, edhe sikur të ishte, ushtritë janë vegla në duart e politikanëve vendim-marrës.
Refuzimi se ushtria serbe ka qenë pushtuese, siç është duke u thënë nga të gjithë, nuk është arsye. Me përfundimin e luftës dhe me largimin e ushtrive pushtuese dhe pas vendosjes së paqes, më nuk ka ushtri pushtuese.
Problemi me ushtritë serbe në relacion me shqiptarët është diku tjetër. Ushtritë serbe kanë ushtruar gjenocid ndaj shqiptarëve që nga viti 1876 e deri më 1999.
Ushtria serbe asnjë herë nuk është ndeshur ushtarakisht me ndonjë forcë në territoret shqiptare, me përjashtim të disa ditëve gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Ushtria serbe ka vrarë civilë shqiptarë (gra, burra dhe fëmijë të paarmatosur) pandërprerë dhe me shifra të paimagjinueshme për logjikën e njeriut. Nuk duhet lënë anash as faktin e shkatërrimit dhe plaçkitjes që kjo ushtri ka kryer ndaj pronave të shqiptarëve.
Këtu duhet ta parashtrojmë një pyetje: A munden ndërkombëtarët ta detyrojnë ushtrinë izraelite që të përkulet para varreve të ushtarëve gjermanë që kanë rënë në Luftën e Dytë Botërore? Gjejeni përgjigjen se i njejti raport qëndron mes shqiptarëve dhe serbëve.
Pra, në grykën e pushkës, bajonetës dhe në shtratin e varrit të ushtarit serb qëndron gjaku i gjenocidit shqiptar. Për më tepër, serbët nuk janë pishman për këtë gjenocid. Ky është problemi. Tashti, çfarë elite politike apo qeveritare shqiptare e detyron ushtrinë e vet që të tregoj respekt para ushtarit të rënë serb? Kështu i ndodhë popullit dhe elitës së tij që e harron historinë dhe beson se ndërkombëtarët duhet të dëgjohen në çdo rast.
Pakuptimësia e dytë e kësaj jave është rasti i terrorit në Stamboll. Nuk është vetëm pse vriten civilët. Ka të bëjë edhe me mentalitetin e vrasësit që beson se shpëton nga masakra që e kryen. Shkon në banesë dhe i shikon pasojat në televizor. Është mirë të studjohet ky mentalitet. Mund të besojmë se një i ri, i indoktrinuar nga urrejta, nuk e di fuqinë e policisë dhe sigurimit sekret turk.
Por, i riu i sotshëm duhet ta dijë fuqinë e kamerave që janë të vendosura gjithandej në Taksim dhe që ato kontrollohen nga dikush se nuk janë kot aty. Duke i pasur këto gjëra parasyshë, është për t’u habitur pse shërbimit turk iu dashtën 12 orë për ta zënë aktoren e krimit dhe rrjetin ndihmës të saj.