Dy persona gjenden të vdekur në Mitrovicë
Këtë të shtune dy persona janë gjetur të vdekur në qytetin e Mitrovicës.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.
Ai tregoi për AP se fillimisht u raportua për një person të vdekur në rrugën “Fadil Deliqi”, për të cilin tha se do të dërgohet për obduksion, dhe më pas për një të pajetë tjetër në rrugën “Ali Zeneli”, i cili nuk do të dërgohet për obduksion, pasi që Zaiti theksoi se është kualifikuar si “vdekje natyrore”.
“Sot, rreth orës 17:12, është raportuar se në rrugën ‘Fadil Deliqi’ në Mitrovicë, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull, mosha 56 vjeçar. Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për rastin. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, tha Zaiti për AP.
Sa i përket rastit tjetër, Zaiti bëri me dije se është raportuar rreth orës 17:20, pra vetëm 8 minuta pas rastit të parë.
“Në rrugën ‘Ali Zeneli’ në Mitrovicë, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull, mosha 77 vjeçar. Ky rast është kualifikuar si vdekje natyrore dhe nuk ka nevojë që të dërgohet për obduksion”.