Dy persona tentuan të transportojnë 15 kilogramë marihuanë në Serbi
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarve F.H. dhe A.N., me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që, më 8 shtator 2019, rreth mesnatës, të dyshuarit në bashkëveprim, me dashje dhe pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit “Marihuanë”, në peshë prej 15 kilogramë, të cilën e kanë pasur të mbështjellë në një valixhe.
Të dyshuarit, janë dakorduar që këtë substancë narkotike përmes pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, ta transportojnë në Republikën e Serbisë, mirëpo pasi janë afruar tek pika kufitare, nga frika që të mos hetohen nga organet e ndjekjes, në një distancë prej 500 metra, të njëjtën e kanë hedhur nga dritarja e automjetit, me qëllim që t’i shmangen identifikimit të tyre, ku më 31 tetor 2019, janë identifikuar dhe arrestuar.
Në këtë rast, është i përfshirë edhe një person i dyshuar, i cili për momentin gjendet në arrati.
/Epoka e re/