Dy poezi nga Sabahatin Ali
Duke qarë
E dashur, larg teje, në vend të huaj
Mbeta duke qarë
Rrugëve që fund s’kanë
Vdiqa duke qarë
Nuk e di a është sehire a magji
Nuk zgjidhet nyja e dashurisë
Atë që te ti e kam dashur
E gjeta duke qarë
Bukur të pashë në grumbull
Beli i hollë sytë e lodhur
Je më e bukur se të gjitha
E dita duke qarë
Eja, gjemë mua, mos u huto
Futu në gjoksin tim porsi zog
Shiko, unë rob në derën tënde
U bëra duke qarë
E dashur, përse sytë i ke të molisur?
A edhe e mërzitur je?
Ditën që u ndava nga ti
Qesha duke qarë
Larg
Çdo ditë të kërkoj ty
Përse je larg nga unë?
Pyes male e pyes gurë
Përse je larg nga unë?
Një bylbyl i djegur këndon
Ma kujton tëndin zë
Sytë më janë përmalluar për tënden fytyrë
Përse je larg nga unë?
Bari është zverdhur e tharë
Lulet përtokë janë përplasur
Toka në shkretëtirë është shndërruar
Përse je larg nga unë?
Në këtë qoshe uleshe ti
Këtu në këmbë rrije
Këtu tundeshe duke ecur
Përse je larg nga unë?
Fytyra ime druhet të qesh
Fytyrës sime lotët rrjedhin
Si jetohet kur s’je ti?
Përse je larg nga unë?
Përktheu: Fatijona Bajraj