Dy profesorë të universitetit “Fehmi Agani” botojnë libër për “Diabetin mellit tip 2”

08 janar 2025 | 14:37

Me datë 24.12.2024 në amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë është bërë promovimi i librit universitar “Diabeti mellit tip 2, parandalimi dhe trajtimi përmes kujdesit infermieror”, i autorëve prof. asoc. dr. Antigona Ukëhaxhaj dhe prof. asoc. dr. Faton T. Hoxha.

Në këtë promovim të pranishëm ishin recensentët e librit, prof. dr. Ramush Bejiqi dhe prof. asoc. dr. Venera Berisha – Muharremi, ekspertë të fushës së mjekësisë nga institucionet shëndetësore të Gjakovës, kolegë nga njësitë e tjera akademike, stafi i Fakultetit të Mjekësisë dhe studentë.

Fillimisht fjalën e mori dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Haxhi Kamberi, i cili theksoi se libri u dedikohet kolegëve klinicistë, studentëve, i cili, sipas tij, do t’u shërbejë në praktikë gjatë ushtrimit të tyre të profesionit te pacientët me diabet tip 2, prandaj pesha dhe rëndësia e tij është me vlerë dhe domethënie të shumëfishtë. Ai, po ashtu, përmendi të arriturat e mësimdhënësve të këtij Fakulteti në shumë fusha, si në publikimet e shumta shkencore në revista ndërkombëtare, publikime të librave universitarë, pjesëmarrje të stafit dhe studentëve në aktivitete të shumta, projekte dhe punë praktike, të arritura të cilat po e përmbushin misionin e Fakultetit të Mjekësisë, për zgjerimin e fushave të studimit, ngritjen e integritetit akademik dhe ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie te studentët.

Për libër folën edhe recensentët, të cilët e vlerësuan lart punën dhe angazhimin e autorëve. Ata sugjeruan se me këtë libër është mbushur boshllëku i kamotshëm edhe për profesionistët shëndetësorë pasi ai ka përfshirë literaturën e fundit ndërkombëtare si dhe udhërrëfyesit dhe protokollet e fundit të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë me të cilat një pjesë e profesionistëve në të tri nivelet ende nuk janë familjarizuar sa duhet.

Në emër të autorëve të librit një fjalë rasti pati prof. asoc. dr. Faton T. Hoxha, i cili në mënyrë kronologjike tregoi rrugëtimin e ekipit të fakultetit, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, idesë së formimit të Njësisë së Shputës Diabetike në Fakultetin e Mjekësisë dhe lëndës e cila mbahet tash e sa vjet me studentët e Infermierisë, andaj ky libër, tha ai, është në përputhje me syllabusin e lëndës dhe studentët do ta kenë më të lehtë mësimin dhe burimet e informacionit mbi sëmundjen e diabetit mellit tip 2. Ai i falënderoi të gjithë autorët, kolegët që me ekspertizën e tyre i shtuan peshën shkencore dhe profesionale këtij libri, në veçanti çmoi kontributin e prof. asoc. dr. Dardan Koçinaj, i cili ishte pjesë e ekipit dhe ideator i themelimit të Njësisë së Shputës Diabetike.

Edhe prof. asoc. dr. Antigona Ukehaxhaj diskutoi lidhur me sfidat për përgatitjen e këtij libri dhe i falënderoi kolegët për kontributin e dhënë si dhe familjen e saj për ndihmesën dhe mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj kohe.

Në fund ekspertë të shëndetësisë e vlerësuan lart librin dhe theksuan ndihmesën e saj në punën klinike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori sportiv i Lecces, Pantaleo Corvino, ka folur për merkaton…