Dy qytete egjiptiane goditen me predha

27 tetor 2023 | 13:54

Dy qytete egjiptiane në Detin e Kuq janë goditur me predha të premten, duke bërë që të lëndohen disa persona, kanë thënë zyrtarët egjiptianë.

Predhat kanë rënë në qytetin Taba, i cili ndodhet në kufi me Izraelin, si dhe Nueiba, rreth 70 kilometra larg kufirit, kanë hënë dy burime egjiptiane të sigurisë për agjencinë e lajmeve, “Reuters”, duke shtuar se janë duke mbledhur informacione shtesë.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë, por sipas televizionit të lidhur me shtetin e Egjiptit, Al-Qahera, predha që ka rënë në Taba duket të ketë pasur lidhje me luftimet mes militantëve të Hamasit dhe Ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës, rreth 220 kilometra larg.

Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit, ka thënë se gjashtë persona janë lënduar në Taba, katër prej të cilëve janë liruar nga spitali tashmë.

Dëshmitarët në të dy qytetet, të cilët kanë kërkuar të mos identifikoheshin, kanë thënë se i kanë dëgjuar shpërthimet dhe kanë parë tymin.

Ushtria e Izraelit ka thënë se është e vetëdijshme për një incident të sigurisë jashtë kufijve të tij.

Taba dhe Nuebia, të dyja në Gadishullin Siani të Egjiptit, janë vende të njohura turistike.

Duke qenë i kufizuar me Gazën dhe Izraelin, Egjipti është i ekspozuar ndaj konfliktit, i cili ka nisur pasi Hamasi ka sulmuar qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor dhe Izraeli ka nisur bombardimet në Rripin e Gazës si kundërpërgjigje.

Kajro ka avokuar vazhdimisht për lejimin e futjes së ndihmave humanitare në Gazë, lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi dhe arritjen e një armëpushimi.

Fundjavën e kaluar, disa roje kufitare egjiptiane janë plagosur pasi janë goditur aksidentalisht nga copëzat e një predhe të një tanku izraelit.

Izraeli ka kërkuar falje për incidentin.

Të mërkurën, Hamasi ka thënë se e ka sulmuar qytetin izraelit, Eliat, i cili është afër Tabas përgjatë kufirit, me një raketë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka…