Dy raste me Covid në Samitin e G7-ës në Britani, vetizolohet delegacioni i Indisë
Samiti i ministrave të G7-ës mund të jetë kthyer në një vatër të përhapjes se Covid-19.
I gjithë delegacioni i Indisë, i cili gjendet në Britani të Madhe është vetizoluar pasi dy anëtarë të këtij delegacioni kanë rezultuar pozitivë.
“Delegacioni i Indisë do të marrë pjesë virtualisht. Kjo ishte arsyeja pse po zbatojmë një protokoll strikt për Covid-19 dhe testet ditore”, kanë njoftuar organizatorët e samitit të G7-ës.
India nuk është pjesë e G7-ës, por delegatët e këtij shteti do të merrnin pjesë si të ftuar specialë.
Grupimi i ekonomive më të mëdha dhe të avancuara të botës përbëhet nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Samiti zyrtar i liderëve të G7-ës mbahet muajin që vjen, teksa ministrat e Jashtëm po parapërgatitin terrenin për tema të rëndësishme në takimin e parë me pjesëmarrje fizike në dy vitet e fundit.