
DY REXHEPAT!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
1. REXHEP HOXHA: Rexhep Hoxha ishte shkrimtar shqiptar për fëmijë nga Kosova, që jetoi plotë 90 vite, nga viti 1929 – 2019. Lindi në qytetin ku e ka burimin intelektualizmi dhe patriotizmi shqiptar, në Gjakovën e Bajram Currit dhe kaloi në amshim në qytetin më të madh kosovar që ishte në të njëjtën kohë strehë e horrave antikombëtarë por edhe të idealistëve të paepur shqiptarë në me krye të Papërsëritshmin Bacë Adem Demaçi, në Prishtinë. Pikërisht me Bacë Adem Demaçin shumë herë e kemi vizituar shkrimtarin e madh shqiptar që tërë jetën dhe veprimtarinë i ka kushtuar shtresës dhe shpresës më të padjallëzuar, më të sinqertë dhe investimit më të shëndoshë në shoqëri, fëmijëve! Realisht, edhe Baca Adem shumë i ka dashur fëmijët. Shkrimtari dhe patrioti shqiptar Rexhep Hoxha ishte klasiku i fundit i letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, i patejkaluar deri më tani, fanar i përjetshëm për shkrimtarët e rinj të këtij zhanri. Mund të gjeni shkrimtarë të talentuar për fëmijë por nuk i kanë të renditura në mënyrë harmonike të gjitha kubëzat e mozaikut të domosdoshme ta kompletojnë personalitetin e një shkrimtari sikur që ishte, njerëzorja, atdhedashuria, sinqeriteti, thjeshtësia, pasuria shpirtërore, refuzimi i mediokritetit, mosnënshtrimi ndaj autoritetit politik dhe shtetëror antikombëtar, respektimi deri në përulje ndaj veprave dhe personaliteteve të përkushtuara kombëtare. Të gjitha këto i kishte Rexhep Hoxha e që nuk llogaritej as e pranueshme e as normale për kohën kur shumë intelektualë shqiptarë të kohës ishin vënë në shërbim të politikës antikombëtare prandaj gëzonin të gjitha privilegjet pushtetore, deri në kohën kur ia dorëzuan shpirtin e zi djallit jugosllav apo serb. Rexhep Hoxha ia dorëzoi shpirtin e bardhë engjëllit mbrojtës të popujve të robëruar në vitin 2019. Ishte shpërfillës me të keqin por qortues me ata që i donte dhe i çmonte. Kemi takuar shumë personalitete me Bacën Adem Demaçi por asnjëri nuk e kishte karizmën e Rexhep Hoxhës. Kur e ngacmonin me qëllim për t’ia liruar adrenalinën, vetëm sa nuk na rrihte por kur ndaheshim na “urdhëronte” ta vizitojmë më shpesh, pa shpresuar se ndaj nesh do të bënte lëshime. Ministria e Kulturës e Kosovës ndanë Çmime Jetësore për Letërsi që bartin emrat e atyre që pjesën dërrmuese të jetës dhe veprimtarisë ia kanë kushtuar aktiviteteve antikombëtare dhe që qençe i kanë shërbyer regjimeve jugosllave dhe serbe. Paradoksalisht, pas çlirimit të Kosovës, këta kuislingë shqipfolës janë rehabilituar, tash si “patriotë” shqiptarë dhe kosovarë duke zënë vende dhe pozita me rëndësi në të gjitha fushat e jetës. Shihni sot kush janë pronarë të mediave, kush janë në diplomaci, në qeveri, në Kuvend të Kosovës, në Presidencë, pasardhës të antikombëtarëve të djeshëm, urryes të UÇK-së, të burgosurve politikë shqiptarë, mohues të Bacë Adem Demaçit dhe të çdo gjëje kombëtare. Kundër tyre ishte shkrimtari patriot Rexhep Hoxha, deri sa kaloi në amshim. Ministria për Kulturë e Kosovës shumë rrallë ia ka qëlluar kur ka ndarë Çmime Jetësore për Letërsi, ose e ka shpërblyer krijuesin e gabuar apo të pamerituar, ose krijuesit të mirë dhe të merituar i ka ndarë çmimin ne emrin e personalitetit që me asgjë nuk ka shkuar me fituesin e çmimit. Kështu vepruan edhe me shkrimtarin dhe patriotin idealist shqiptar – Rexhep Hoxhën duke i ndarë Çmimi “Azem Shkreli”. Çmimi në atë kohë kapte vlerën e 5000 eurove, vlerë e madhe për standardin kosovar e sidomos për një pensionist siç ishte Rexhep Hoxha. Ndërtimi njerëzor, kombëtar dhe moral i Rexhep Hoxhës në asnjë mënyrë nuk e lejonte ta pranonte këtë çmim dhe Rexhep Hoxha e dha një arsyetim pse e refuzonte këtë çmim. Ai tha se nuk mund ta pranonte një çmim që ishte emërtuar me emrin e një letrari që duart i kishte të përgjakura me gjakun e patriotëve shqiptarë, si agjent i UDB-së, duke e cilësuar si të tillë Azem Shkrelin, emrin që paradoksalisht dhe turpërisht e mbanë njëri ndër çmimet kryesore për Letërsi që sot e ndanë Ministria për Kulturë e Kosovës. Të rinjtë nuk kanë informata për të kaluarën e Azem Shkrelit, të moshuarit dhe këta që e mirëmbajnë këtë çmim janë pjesë e kënetës antinjerëzore dhe antikombëtare. Prandaj Rexhep Hoxha mbeti i madh sepse kishte parime të pathyeshme njerëzore, kombëtare, profesionale dhe morale.
2. Rexhep Qosja: Rexhep Qosja është hulumtues, kritik letrar, shkrimtar dhe, mbi të gjitha, sipas meje është dijetar, erudit. Është anëtar i ASHAK-ut që udhëhiqet nga një kryetar me të kaluar të dyshimtë kombëtare dhe politike. Sikur që janë edhe disa anëtarë të kësaj korporate që asgjë ose fare pak ka bërë për Kosovën në planin intelektual, politik, kombëtar apo afirmativ. Në mjekësi do të thoshin se është një kulturë e mbjellë me parazitë për t’u caktuar më lehtë diagnoza. Rexhepi nr.2 pra, Qosja ka lindur në Vuthaj të Malit të Zi në vitin 1936 dhe jeton në Prishtinë, Kosovë. Si dijetar është i pakundërshtueshëm, si letrar nuk është i keq, si politikan është skajshmërisht jokompetent, madje gjatë rrugëtimit politik, gjithmonë në shërbim të tjerëve, asnjëherë njëshi, vetëm ka shkaktuar përçarje dhe ka bërë dëme. Nuk ka asgjë më keq se kur një dijetar i nënshtrohet mediokritetit paramilitar politik. Këtë pikërisht e bëri Rexhep Qosja para zgjedhjeve të fundit kur me një ferman publik kërkoi të votohet LV-ja dhe Albin Kurthi sikur që në të njëjtën kohë sulmoi brutalisht ata që i sollën lirinë Kosovës, e shpallën pavarësinë dhe e bënë shtetin. Nuk ka asgjë më e rëndë, degraduese dhe batakçillëk kur një dijetar del publikisht dhe kërkon vota korruptive për çiftat e agimbahtirave, halilthaçave, dimalbashave, dejonamihajlave, hajnrullahçekove, arbenpiftijave dhe banuesve therë të kënetës kombëtare dhe parapolitike. Dhe, dora e zgjatur e mëshirës së shtetit për rrogëtarët e vet veproi shpejt, shumë më shpejt se posta e Alia Expressit. Ministria për Antikulturë i ndau Robit të vet çmimin e parë për Letërsi, i mbuluar me 10.000 euro, vlerë monetare. Rexhepi nr.2 për dallim nga Rexhepi nr. 1 i pranoi edhe çmimin e sidomos 10.000 zemra të eurove.
Rexhepi nr.1 nuk pranoi asnjë privilegj apo favor prej asnjë pushteti apo regjimi kurse Rexhepi nr. 2 i pranoi të gjitha privilegjet dhe favoret e të gjitha pushteteve dhe regjimeve, që nga ai i Josip Broz Titos e deri te ky i Albin Kurthit. Prandaj nuk kisha asnjë mëdyshje se cili do të jetë Rexhepi nr. 1 e cili Rexhepi nr. 2. Rexhep Hoxha do të jetë gjithmonë në “Kujtimet” e “Lugjeve të Verdha”, si një kolos njerëzor, kombëtar dhe moral kurse Rexhep Qosja do të jetë një “Picimul” “që” Vdekjen e pretë prej syve të tillë sikur që është nënshtrimi ndaj një mediokriteti politik.