DY RRUGË DERI NË VENDIN E PUNËS, NGA EMSHIRI NË PRESIDENCË
Shkruan: Ismail SYLA
Rruga që bëj nga shtëpia në punë është e përditshme. Çdo ditë pune ka diçka të veçantë, aq sa ka edhe rutinë. Nisesh me një përshtypje të caktuar një ditë dhe krejt tjetër ditën tjetër. Ashtu edhe kthimi. Ata që kanë bërë jetë ilegale thonë se dalja dhe hyrja në shtëpi është pikë kritike qoftë për arrestim, atentat, kidnapim. Rrallë më kujtohen këto përshtypje të dikujt tjetër, por ja që kur mbyll dyert e oborrit më feks në mendje një gjë e tillë.
Nga shtëpia në periferi deri në qendër të Prishtinës kaloj nëpër një qytet që të ofron fragmente të ndryshme rruge, asfalti, trotuaresh, kyçje në komunikacion. Këndi i zorshëm i hyrjes në arterien kryesore fillon tek stacioni i autobusëve urbanë ku vijnë ose presin nxënësit dhe studentët e bujqësisë, shkollës së mesme ekonomike dhe asaj teknike. Pastaj të pret mundësia që të nisesh drejt bulevardit “Bill Klinton”, ose mbi rreth rrotullimin e madh drejt lagjes “Arbëria”. Gjatë 365 ditëve ke mundësi të provosh të gjitha rrugët që shpien në punë.
Rreth rrotullimi i madh seç ka një konstruksion që të nervozon nga pjesa e poshtme. Betonimi masiv të kujton ndonjë mur të kalave, të lë një shije të keqe. Zë vend të shumtë në hapësirë. Ky vend të kujton faktin se si në qytete si Osllo ose Tokio ka konstruksione urash që bëjnë zgjidhje në hapësira urbane, por nuk ta vrasin syrin. Edhe në Cyrih të Zvicrës kam parë urë midis qytetit, shtyllat e së cilës nuk janë si mure burgu.
Menjëherë në vazhdim të rrugës përtej rreth rrotullimit, veturat, autobusët, kamionët, kamionetat dhe furgonët vijnë nga tri drejtime dhe ushtrojnë trysninë e tri pykave. Dy shirita automjete që hyjnë nga Fushë Kosova, ato që hyjnë nga pjesa e epërme e rreth rrotullimit dhe makinat që vinë nga rruga prej “Veternikut” dhe stacionit të autobusëve. Tek semafori i dytë është mundësia të shkohet drejt Fakultetit Filologjik ose të kthehesh në të majtë, ku shpesh policë të komunikacionit “kujdesohen” për gabimet e shoferëve.
Nëse vazhdohet në të majtë të shfaqet rruga që shpie drejt ish Pallatit të shtypit, tash seli e disa ministrive. Në këtë rrugë takohesh me rrugën që vjen nga ish “Fazita” e cila edhe pse drejt nuk është me përparësi kalimi, ndonëse asnjë shofer nuk e respekton shenjën trekëndësh, kështu që duhet të kesh kujdes. Në anën e djathtë janë disa zyre për sigurimin e automjeteve. Aty shpesh e shoh një punonjës që me punë sigurimesh është marrë edhe para luftës, kur devalvimi i dinarit jugosllav ndodhte dhjetë herë brenda ditës. Edhe po desha ta harroj atë periudhë, sa herë kaloj aty më kujtohet personazhi me mbiemrin Dragaj.
Më tej, është hoteli i parë, pastaj i dyti, një bankë, një laborator e çka jo tjetër. Hotel “Prishtina” e zuri vendin e kafes “Koha”, që për 10 vjet shërbeu si galeri artesh dhe vend promovimi për librat në vitet 1990 – 2000. Më tej është objekti i ish “Rilindjes”, me fasadë të re. Historia ime personale me këtë objekt lidhet me vitin 1980 kur me kolegun e studimeve Bardh Hamzaj vizituam për herë të parë redaksinë e “Zërit”, në katin e shtatë. Na priti kryeredaktori Agim Mala. Objekti ishte luksoz për kohën. Ende më rri në mendje “bunda” e Agimit në varëse, pallto që blihej në Turqi, si trend mode i asaj kohe. Edhe poeti Beqir Musliu, që meditonte dhe shikonte përtej xhamave. Kur hyra në punë si gazetar në gazetën “Bujku” në tetor 1994, 14 vjet më vonë, gjithçka ishte rrënuar dhe rrëgjuar nga madhështia e “Rilindjes” në katin e katërt dhe atë të pestë.
Në vijim është ndërtesa e Ministrisë së Jashtme, një objekt shumë i urryer një kohë, ku ishte vendosur shtabi i armatës jugosllave. Sa herë shkoj atje, në raste të rralla të ndonjë vule apostile ose të vazhdimit të pasaportës zyrtare, e ndiej shndërrimin e madh të robërisë në liri. Më tej, në të djathtë është barnatorja “Valeriana” ku njëherë në muaj marr barnat e tensionit “Lorista H”. Nxjerrja e dhëmballës së parë më 1988 dhe fillimi përdorimit të kokrrave për tension, 2011, janë dy ndodhitë e mia më shokante shëndetësore. E para, cenim i origjinalitetit të pjesëve të trupit dhe e dyta një varësi e përjetshme nga prania e produkteve të industrisë kimike në gjak.
Pak më në të majtë është ndërtesa e Burgut, që kujton majin e vitit 1981, janarin e vitit 1982, qelinë numër 3 në përdhese dhe dhomën numër 24 në kat. Ditët dhe netët i mbyllur në një gjysmë rreth, me këpucë pa lidhëse dhe pantallonat pa rrip. Ditët kur u ndërpre jeta studentore dhe për pesë vjet gjumi nuk u bë në shtëpi dhe uji u pi aty ku e ka shkruar Zoti, siç thoshte babai im atë kohë. Në dimrin e vitit 2017, një buzëmbrëmje duke kaluar pranë kësaj ndërtese në degët e një druri pashë aq shumë çafka sa mbeta i habitur. Ishte druri me “gjethet” më të zeza në botë. Shumë shqiptarë kanë kaluar nëpër dhomat e vogla të këtij burgu të madh.
Në vazhdim është kthesa e rrugës së ngushtë para ambulantes, tash qendër e mjekësisë familjare, që të shpie drejt paksa, dhe në të majtë vijon rruga drejt portës së oborrit të kryeministrisë. Para se të ndalosh veturën për kontrollim rutinë nga policët e sigurimit të objektit qeveritar, me një pasqyrë me dorëz, në të djathtë është pllaka ku shënohet vendi vrasjes së demonstruesve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, më 2 prill 1981. Ishin të dy maturantë të shkollës së mesme. U vranë në lule të rinisë nga snajperistët serbë.
Pastaj hyn në oborrin e kryeministrisë. Që nga marsi i vitit 2008 deri në prill 2016 kam përshkuar këtë rrugë me qindra herë, për të punuar në katin e dytë, gjashtë vjet dhe në të tretin, dy vjet. Këtë rrugë e bëj ende, për të vazhduar paksa, deri te parkingu i vogël ndërmjet objektit të Kuvendit të Kosovës dhe Kryeministrisë për në Presidencë.
Por, të rikthehemi edhe një herë, pikërisht atje, tek semaforët e pritjes së shkurtër, tek “Santea”, d.m.th tek mundësia e dytë, vazhdimi i rrugës për në punë nga ana e djathtë të themi, drejt semaforëve afër Filologjikut. Nëse përjashton kthesën në të djathtë që të shpie nga Rektorati, pastaj kthesa nga Grandi, që bashkohet tek Banka Qendrore, rruga nga semaforët vazhdon përpjetë drejt Mensës së Studentëve.
Në të djathtë është Filologjiku. Në vitin 1979 ishte Fakultet Filozofik, e kur dola nga burgu më 1987 e gjeta Filologjik, të ndarë, më vete, të pavarur. Dy vjet të plota, tetor 1979 – dhjetor 1981 në korridoret, amfiteatrot dhe sallat e ligjëratave e kam ndier forcën e egos sime në këtë hapësirë, duke studiuar, duke u shoqëruar me studentë të gjeneratës dhe duke përjetuar kënaqësinë e jetës rinore. Po ashtu net të mira në konviktin nr. 4, lexim i literaturës së ndaluar, dhënie provimesh me nota maksimale. Respektim të pedagogëve në distancë të duhur, pa u bërë shokë me ta. Punë, punë, punë. Bursist universiteti. Pastaj 11 marsi, 26 marsi, 1 dhe 2 prilli 1981.
Pasi ta kalosh Filologjikun dhe Institutin Albanologjik, tash edhe atë Historisë, vjen pritja para semaforëve te Mensa e Studentëve. Makina duhet mbajtur gjithmonë nën fre, sepse terreni është i pjerrët. Ky udhëkryq ma kujton mbrëmjen e 11 marsit 1981. Një mbrëmje para pranverore, me mot të butë. Aty u grumbulluan studentët e revoltuar. Aty u ngrit afër një shtylle studenti veteran Ali Lajçi, me mjekrën e tij emblematike. Është për çudi se si disa personalitete identifikohen me diçka simbolike nga jeta e tyre. Ali Lajçi pikën më të lartë dhe më të ndritur e arriti në atë udhëkryq, më 11 mars, ashtu si Hydajet Hyseni në blirin para Komitetit të LKJ, tash objekti i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Bujqësisë, më 1 prill 1981.
Në vazhdim, në të djathtë vijon rruga që shpie pranë Galerisë së Arteve, deri tek kryqëzimi afër objektit të Ministrisë së Arsimit. Edhe në këtë udhëkryq ndodhi një ballafaqim i fuqishëm i demonstruesve me policinë e atëhershme, më 1 prill 1981. Nuk kishte barrikadë policore që ta ndalte rininë dhe punëtorinë e asaj kohe. Tash në të djathtë, pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit është ndërtesa e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në krye të këtyre ndërtesave është kulmi që simbolizon kapelën akademike të studentëve kur organizojnë ceremoninë e diplomimit dhe atë të personelit akademik që vishte në raste solemne.
Tash, sa herë kaloj afër ndërtesës së ASHAK, më bie ndërmend produkti i saj i fundit, Fjalori Enciklopedik i Kosovës. Për të kam përgatitur 4 zëra. Fatkeqësisht, nuk di kush ka vendosur që të mos botohet zëri i Xheladin Gashit, i “Plakut”, komandant i UÇK-së për Veriun e Shqipërisë, kuptohet, me pjesëtarë të UÇK-së. Për çudi, në këtë Fjalor është përfshirë emri im. Por, për ironi, aty thuhet se paskam mbaruar shkollën e mesme në Komoran. Në fakt Xheladin Gashi ishte nga Komorani. E përmendja e toponimit Komoran në humorin e estradës tallava të Kosovës është përdorim tallës. Nuk ka gajle, po të ishte kjo e vetmja gafë e këtij Fjalori.
Më tej vazhdohet nga pjesa shpinore e Teatrit Kombëtar, gjersa ke kaluar pikën e njohur orientuese “Sllovenija Sport” dhe pak rrugë të duhet të hysh në oborrin parking të Kuvendit të Kosovës. Në objektin e Kuvendit të Kosovës në njërin krah të katit të parë është Presidenca e Kosovës. Është “mysafire” në Kuvend. Zyra ime është numër 102. Me mure të trasha, e kthyer nga Sheshi “Ibrahim Rugova”. Ku ta dish se kush ka punuar në këtë zyrë më 1961, 1971, 1981, 1991… Çfarë vendime dhe çfarë politike është bërë. Ajri dhe muret e zyrës nuk mund ta thonë.
… E pra, nuk shkohet lehtë në punë, nga cilado anë që të shkosh.